Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdo?an përshëndeti miratimin e rezolutës në Asamblesë së Përgjithshme (AP) të OKB-së e cila denoncon vendimin e SHBA-ve për njohjen e Jeruzalemit (Kudsit) si kryeqytet të Izraelit, duke riafirmuar qëndrimin e tij se “bota është më e madhe se pesë”, që i referohet pesë anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit (KS) të OKB-së, raporton Anadolu Agency.

Duke iu referuar përpjekjeve të SHBA-së për të frikësuar vendet anëtare të OKB-së në prag të votimit të së enjtes, Erdo?an tha: “Duhet të dihet se demokracia nuk është perceptim, sistem apo regjim ku mund të blesh vullnetin”.

Para votimit për rezolutën për të “zhvlerësuar” njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, Washingtoni u kërcënua se do të ndërpriste ndihmat për vendet që e miratuan atë.

“Bota është më e madhe se pesë dhe shumë më e madhe se një”, tha Erdogan në një fjalim në takim me krerët provincialë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

Presidenti Erdo?an më parë ka shprehur qëndrimin e tij kundër dominimit të pesë anëtarëve të përhershëm të KS-OKB-së.

Rezoluta jodetyruese, e inicuar nga Turqia dhe Jemeni, u miratua nga 128 vende, ndërsa nëntë vende votuan kundër.

Përveç SHBA-ve dhe Izraelit, shtatë shtete të tjera kundërshtuan rezolutën, kurse 35 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së abstenuan dhe 21 munguan në votim.

Të hënën, SHBA-të vënë veto ndaj një rezolute të KS-OKB-së të mbështetur nga 14 anëtarët e tjerë të Këshillit që i bënin thirrje Trumpit të anulojë deklaratën e tij për Kudsin.