Që Erion Veliaj ka në themel të karrierës politike gënjeshtrën dhe që imazhi i superpunëtorit të pompuar nga media është kokë e këmbë një falsitet, këtë e di edhe gazetari më naiv në Tiranë.

Jo më kot Lapsi.al e krahasoi me Gim Gjuzin pak kohë më parë, njeriun që me mashtrimet e tij arriti të shesë edhe Sahatin e Tiranës. Por megjithëse kjo është një e vërtetë e njohur për të gjithë gazetarët, Erion Veliaj ia ka dalë të marrë me vete në rrokullimën drejt gënjeshtrës të gjitha ekranet e televizioneve shqiptare. Ky është një rekord i paparë ndonjëherë në vitet e fundit, që do të mbetet gjatë në histori.

Pse nuk fillojme sot t’i kthejme borxhin natyres, te mbjellim peme qe te mos na rreshqasin kodrat neper rruge! ????

Shqiptarëve iu tha të hënën nga rrjetet sociale dhe nga ekranet e televizioneve, se Erion Veliaj ishte duke mbjellë pemë pranë Unazës së Re në Tiranë. Njoftimi zyrtar i Bashkisë kishte video dhe foto të kryebashkiakut. Lapsi.al raportoi se Veliaj ishte në Itali dhe se ishte parë në aeroportin e Romës, në Fiumiçino mbrëmjen e së dielës. Kronika e lajmit të rremë u përsërit në të gjitha ekranet e televizioneve një ditë më parë.

Por nga ana tjetër e kufirit, mediat italiane japin detaje për axhendën e Veliajt, raportojnë për takimet e tij në kohë reale, madje gazetarët edhe e kanë intervistuar kryebashkiakun, për të cilin kjo është eksperiencë që sa vjen e bëhet më e rrallë. Të hënën paradite, ndërsa në zyrat e Bashkisë, përgatiteshin pamjet dhe teksti për t’iu servirur mediave, Erion Veliaj ishte në një takim në Abruzzo, bashkë me presidentin e rajonit në fjalë dhe me Presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani. Aty u zhvillua ceremonia përmbyllëse e programit IPA Adriatic Cross-Border Cooperation 2007-2013. Veliaj ka patur kohë për t’u takuar me një përfaqësi të komunitetit arbëresh në Itali, shoqëruar nga ambasadorja shqiptare atje. Shikoni videon më poshtë:

Gjatë pasdites, kur shqiptarët e shihnin duke i hedhur një lopatë dhe fidanëve, Veliaj ishte në Institutin e Shkencave “Grann Sasso”, bashkë me rektorin Eugenio Coccia dhe Presidentin e Këshillit rajonal Giuseppe Di Pangrazio.

Ja e vërteta:

Në kohën e komunizmit në Tiranë vërtitej një njeri që kish bërë famë me mashtrimet e veta. Nuk dihej nëse ishte thjeshtë fryt i imagjinatës popullore, apo person real , po të gjithë tregonin anekdodat e këtij tipit, të quajtur Gim Gjuzi, që arriti kulmin e vet kur i shiti, një katundari të zbritur në qytet, Kullën e Sahatit. Megjithëse ajo qe një periudhë pa media dhe pa Facebook, fama e Gim Gjuzit, kishte kapluar çdo qytetar të Tiranës.

Ndërsa sot, në një realitet me media private dhe me rrjete sociale, Tirana ka gjetur trashëgimtarin e vërtetë të Gim Gjuzit. Ai është kryebashkiaku i qytetit.

Të gjithë e dinë historinë e tij të bërë publike nga Lapsi.al. Fabulën e njeriut që të nesërmen e dasmës në kalanë e Gjrokastrës doli në punë. Por, Lapsi zbuloi atëhere se ky ishte një mashtrim. Se Lali Eri kishte fjetur për kokrrën e qejfit i lodhur nga harbimi i martesës, dhe në të gjitha mediat e vendit kishte nxjerrë kronika të xhiruara më parë sikur ishte duke inspektuar punët e shtetit.

Por kjo ndodhi me dasmën rrezulton se qenkësh një praktikë e zakonshme e kryebashkiakut të Tiranës.

Nga një investigim i hollësishëm i gazetarit Artur Çani ka rrezultuar se Veliaj kryen aktivitete në Tiranë edhe kur fizikisht ndodhet jashtë shtetit.  Për llogari të faqes online “Shuplaka”, Çani ka vëzhguar të gjithë aktivitetin e Veliajt në muajin tetor. Dhe çfarë ka rrezultuar: se në 5 tetor është në Lubjanë, por shqiptarët e shohin në ekran duke përuruar palestërën e shkollës “Qemal Stafa”. Se në 11 tetor gjendet në Goteborg të Suedisë, por tiranasit e shohin në ekran duke inspektuar punimet e një këndi lojrash.

Veliaj ka dalë jashtë sërish në 15 tetor (09:10) dhe është kthyer në 21 tetor (14:25). 1 javë jashtë Shqipërisë. Por edhe kësaj radhe, pikërisht në 15 Tetor Veliaj shfaqet në rikonstruksionin e rrugës ”Kujtim Laro”, në datën 16 Tetor shfaqet duke inspektuar trotuaret dhe rrugën ”Ali Demi”, në 17 tetor shfaqet duke inspektuar këndin e lojrave në Njësinë Nr.7, në 18 Tetor i pranishëm në rikualifikimin urban të bllokut të banimit te Fusha e Aviacionit, në 19 tetor duke inpektuar nisjen e punimeve në rrugën ”Heirmann Gmeiner” të Njësisë numër 2, në 20 tetor në përfundimin e punimeve të fushave sportive të ”Fan Noli” dhe në 21 tetor në përfundimin e rikonstruksionit të rrugës ”Ali Shefqeti”.

Të gjitha këto shfaqe duken në kronikat televizive dhe në faqen e bashkisë që e drejton vetë.

Kryebashkiaku ka dalë sërish jashtë vendit në 22 tetor (07:47) dhe është rikthyer në 26 tetor (12:54). Pra dhe 5 ditë të tjera po jashtë vendit. Por, si gjithnjë,  në datën 22 Tetor shfaqet me aktoren Hajrie Rondo,  në datën 23 Tetor përfundon rikualifikimin urban të një tjetri blloku pallatesh në Njësinë Nr.4 ku Veliaj është i pranishëm, në 24 Tetor përfundon një tjetër investim në zonën e Farkës, në datën 25 Tetor Veliaj shfaqet në televizion në rrugën “Vëllezërit Manastirliu” për nisjen e rikualifikimit urban.

Dhe dalja e fundit e muajit është 27 tetori (13:23) për t’u rikthyer në 30 tetor (14:22). 4 ditë të tjera jashtë. Në datën 28 Tetor Veliaj shfaqet duke inspektuar punën për zhvendosjen e nënstacionit elektrik te Unaza e Vogël. Në datën 30 Tetor flet me zë dhe figurë nga Njësia Administrative Numër 7.

E gjithë kjo kronikë tregon se si punon me antë të zyrës së tij të manipulimit, me 60 veta që paguhen nga taksat e Tiranës, Erion Velia. Prandaj ai e meriton plotësisht medaljen e pasuesit të denjë të Gim Gjuzit. “Lali Eri” i shet përditë nga një Kullë Sahati katundarëve të Tiranës. /Lapsi.al.