Duhet të kujdesemi që drejtësinë mos e sjellim në revanshizëm politik dhe urrejtje personale. Për shkak se, urrejtja çon drejt një urrejtjeje të re, porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në fjalimin e sivjetmë në dhomën ligjvënëse.

“Është e domosdoshme të konfirmohet përgjegjësia edhe për ata të cilët e kanë shkaktuar dhunën në Kuvend më 27 prill. Kush ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin në mënyrë përkatëse duhet të përgjigjet. Por përgjegjësia nuk guxon të gjeneralizohet. Përveç obligimeve, qytetarët kanë edhe të drejta të cilat duhet të respektohen – e drejta e mbrojtjes, imuniteti dhe presumcioni i pafajësisë të cilët janë në bazën e çdo demokracie. Për fat të keq, pamë deputetë me pranga pa imunitet të hequr dhe qytetarë nga ‘Për Maqedoni të bashkuar’ të akuzuar për terrorizëm. Nuk mundem, e të mos i mbështes ata të cilët më shumë se dy muaj në mënyrë të qetë dhe dinjitoze shfaqnin kujdes për interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë. Për shkak se, një pjesë e kërkesave të tyre ishin edhe kërkesa të mia”, theksoi presidenti Ivanov.

“Kërkesa e qytetarëve është pajtimi në vend të revanshizmit. Kërkesa e tyre është edhe kërkesë e imja. Rruga deri te pajtimi në Maqedoni çon përmes drejtësisë, ndërsa rruga deri te drejtësia çon përmes të vërtetës”, shtoi shefi i shtetit. Përgjegjësi më të madhe për stabilitetin dhe sistemin e Maqedonisë, tha presidenti, kanë partitë politike të cilët e përfaqësojnë shumicën e pjesëtarëve të kombit maqedonas.

Ai theksoi se duhet ta kthejmë kulturën e dialogut politik dhe se liderët e pushtetit dhe opozitës duhet të kenë komunikim normal të ndërsjellë në interes të qytetarëve dhe në interes të shtetit.

“Kemi pasur dhe do të kemi ndryshim të pushtetit. Por nuk guxojmë të kemi përndjekje politike dhe revanshizëm që padyshim përfundon në monizëm të ri ideologjik. Në vend të përndjekjes politike, hakmarrjes dhe revanshizmit, neve na duhet pajtim. Ndërsa për këtë pajtim nevojiten tre gjëra. E para, zgjidhje ligjore për ripërtëritje ose rishqyrtim të procedurave në rastet gjyqësore për të cilët ka indikacione të bazuara për shkelje serioze të së drejtave të njeriut. E dyta, konfirmim i përgjegjësisë qytetare dhe penale ndaj atyre të cilët në mënyrë politike kanë montuar raste. Dhe, e treta, heqje e gjeneratorëve të krizave me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit”, theksoi Ivanov.