Presidenti Gjorge Ivanov sot e ka nënshkruar Dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikimin e Konventës së Stambollit. Ai i përshëndeti shkaqet themelore të deklaruara për ratifikimin e Konventës, por, siç kumtoi Kabineti i tij, shpreh brengosje lidhur me definimin e gjinisë, interpretimin e dhunës psikike dhe të drejtat e prindërve që të sigurojnë arsim në pajtim me bindjet e tyre fetare dhe filozofike.

“Konventa e Stambollit kodifikon një përkufizim kontrovers të ‘përkatësisë gjinore’ si konstrukt shoqëror që është i pavarur nga realiteti biologjik i ‘gjinisë’. Në Nenin 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë shfrytëzohet termi gjini, e jo përkatësi gjinore. Përkufizimi i konventës së Stambollit është në kontradiktë edhe me përkufizimet aktuale në të drejtën ndërkombëtare”, vlerëson Ivanov.

Sipas Ivanovit, dispozitat për të drejtat e prindërve që të sigurojnë arsim dhe mësim në pajtim me bindjet e veta fetare dhe filozofike, mund të rezultojnë me kufizime serioze.

Në kumtesën e kabinetit qëndron edhe se, sipas shefit të shtetit, kumtesa e sotme e Platformës për barazi gjinore paraqet shtrembërim të realitetit dhe nxjerrje nga konteksti të brengosjes së tij, të shprehur në fjalimin vjetor.