Shefi i qeverisë italiane, Paolo Gentiloni, njoftoi sot vendosjen e 470 trupave ushtarake në Niger, për të përforcuar kontrollet e territorit në këtë vend.

“Ne do të shkojmë në Niger pas një kërkese të qeverisë lokale, të marrë në fillim të dhjetorit, për sa i përket një kontributi italian për të bërë atë që ne bëjmë normalisht në këto vende, si për shembull në Libi. Të përforcojmë instrumentet e kontrollit të territorit dhe të kufijëve, si dhe përforcimin e forcave policore lokale”, deklaroi Gentiloni gjatë një konference për shtyp.

“Nigeri përfaqëson vendin kryesor të tranzitit për mijëra emigrantë që mbërrijnë në Libi dhe përpiqen më pas të arrijnë brigjet italiane dhe Evropën”, theksoi ai.

Ky vendim pritet të ratifikohet nga Këshilli i Ministrave që pritet të mbahet sot ose nesër.