Ish-ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Aleksei Uljukajev, është shpallur fajtor për korrupsion nga gjykata “Zamoskvoretskiy” në Moskë, për pranimin e një zarfi me dy milionë dollarë nga pronari i “Rosneft”, Igor Sekini.

Ai u dënua me tetë vite burg dhe punë të detyrueshme, ndonëse Uljukajev vazhdon të pretendojë se është i pafajshëm.

Ky proces ka mbajtur në alarm gjithë median ruse, sidomos pasi ish-ministri u arrestua në hyrjen e selisë moskovite të “Rosneft”-it dhe u gjend me një çantë plot me para.

Sekini, një person shumë i besuar i Putinit, me një të kaluar në shërbimet sekrete (FSB) dhe sipas shumë burimesh drejtues i  fraksionit të fajkonjve (një drejtim konservator brenda partisë së Putinit) ka akuzuar Uljukajevin se i morri paratë si shpërblim për miratimin që kishte dhënë për blerjen e “Bashneft”, kompani nafte që në atë kohë ishte në synimet ekspansioniste të Sekinit.

Nga ana tjetër, Uljukajevi, që është anëtar i grupimit të kundërt, pëllumbat liberalë, ka mohuar gjithnjë këtë, duke e përkufizuar arrestimin e tij si një provokim të orkestruar nga Sekini dhe ka theksuar se nuk e dinte që në çantë kishte para, duke menduar se ishte një dhuratë me verë dhe sallam për Krishtlindje.

Sekini, pavarësisht që u thërrit të dëshmonte si akuzuesi kryesor, nuk është paraqitur kurrë në gjykatë për marrjen në pyetje dhe gjykata ka punuar vetëm me depozitimin që ai kishte bërë në fazën fillestare.