Tentimi i një ushtari të Koresë së Veriut për të dezertuar në Korenë e Jugut shkaktoi incident dhe solli në prag të përleshjes në kufirin mes dy Koreve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se një ushtar 19 vjeçar i Koresë së Veriut tentoi të kalojë në territorin e Koresë së Jugut në vijën kufitare, ndërsa një grup i kolegëve të tij u nis pas tij për ta kthyer nga arratia.

Forcat kufitare të Koresë së Jugut shkrepën 20 plumba në ajër si paralajmërim për ushtarët e anës tjetër që të mos afrohen deri te kufiri.

Zëdhënësi i ushtrisë së Koresë së Jugut, Roh Jae-cheon, njoftoi se edhe ushtria e Koresë së Veriut shkrepi dhjetëra plumba dhe në vazhdim është hetimi mbi incidentin i cili përfundoi me tërheqjen e ushtarit koreano-verior.

Ky ishte tentimi i katërt i ushtarëve për të dezertuar nga ana veriore në atë jugore të kufirit.

Që nga përfundimi i Luftës Koreane gjatë gjashtë dekadave të fundit në Korenë e Jugut janë arratisur së paku 30.000 persona nga Koreja e Veriut.