Vendi i parë, objektivi Champions dhe ëndrra titull. Mauro Icardi flet për gjithçka në një intervistë të gjatë në Gazzetta Dello Sport. E thotë me bindje se ky është vitit i Interit.

“Kemi të gjithë mentalitetin e duhur. Jemi të qetë, konkretë dhe të sigurtë. Në këtë sens, edhe tifozët duhet të na japin një dorë. Objektivi është të luajmë në Champions sezonin e ardhshëm dhe, nëse 3-4 javë nga fundi do të jemi ende në krye, do të mendojmë edhe për gjëra më të mëdha”.

Testi Torinos në derbin e Italisë do të tregojë më shumë se deri ku mund të shkojë ky Inter. Herën e fundit u mbyll me polemika, me përjashtimin nga loja të Perisicit.

“Nëse ndodh ajo e vitit të kaluar, Spalletti na e heq kokën. Kishte shumë tension dhe pati episode të këqija. Sot jemi në gjendje ta kontrollojmë më mirë situatën dhe kemi mentalitetin e duhur për ta përballuar një ndeshje të këtij niveli”.

Në fund, për zërat e afatit kalimtar, ku spikat interesimi i mundshëm i Realit të Madridit, Icardi sqaroi:

“Unë ndihem mirë në Milano, këtë e dinë të gjithë. Për merkaton mendojnë të tjerët. Është bashkëshortja ime Wanda, që komunikon me drejtuesit e klubit”.