Pesëdhjetë vjet më parë, në dhomën numër 509 të konviktit të parë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kishte nisur studimet Ibrahim Rugova, i cili dy dekada më pas do të shndërrohet në udhëheqësin kryesor të popullit të Kosovës në rrugën e gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Në vitin 1967 Rugova kishte regjistruar në Prishtinë Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ishte vendosur në dhomën 509 të konviktit bashkë me tre studentë tjerë: Rexhep Ismajlin, tashmë akademik, Shaban Shabanin dhe Xhealedin Salihun, studentë nga Presheva. Në këtë dhomë shpesh gravitonte edhe Riza Halimi, tashmë politikan nga Presheva.

Salihu gjatë një rrëfimi për gazetën ‘Zëri’ jep detaje nga jeta studentore e ish’presidentit Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si shqiptarin me zemër të pastër dhe studentin që thellohej në lexime edhe kur shokët e dhomës nuk ndaleshin së biseduari me zë të lartë. Salihu thotë se në atë kohë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë ishte vetëm një konvikt, ndërsa në dhoma ishin nga dy shtretër, ku flinin katër studentë. Ai kujton se në atë kohë Rexhep Ismajli ishte anëtar i Komisionit për Ndarjen e Dhomave të Studentëve dhe prandaj thotë se konkurruan dhe fituan të drejtën e banimit të studentëve në Prishtinë, ku edhe u njohën me Rugovën.

“Unë përpara nuk njihesha me Rugovën. U njohëm si studentë dhe si cimarë, ndërsa Rexhep Ismajli e njihte sepse e kishte koleg të studimeve në gjuhë dhe letërsi shqipe, prandaj kishin vendosur të banojmë me një dhomë në konvikt. Në atë dhomë tre studentë ishin nga Presheva, ndërsa Rugova ishte nga Istogu”, thotë ai.

Rugova si student botoi librin “Prekje lirike”.

Salihu e përshkruan Ibrahim Rugovën si student shumë i qetë. “Në dhomë ishte shumë i qetë, lexonte shumë, por shumë e thithte cigaren me duhan”.

“Asnjëherë nuk na pengoi në mësimet tona gjatë vitit akademik 1970/71. Madje shpesh ne i pengonim me muhabet preshevare, mirëpo ai me qetësi i kalonte ato dhe asnjëherë nuk na bënte vërejtje. Në shpirt ishte i qetë dhe vetëm shikonte punën e leximit dhe të shkrimeve, sepse herët filloi që të shkruajë kritikë dhe ese letrare”.

Salihu thotë se në vitin 1971 Rugova botoi librin “Prekje lirike” ese letrare, në të cilin i këndonte atdhedashurisë, dashurisë…, etj. “Sa më kujtohet shkroi ese letrare për Naim Frashërin, Lorkën, Khajamin e të tjerë”, thotë ai.

Dhoma 509 ‘vlonte’ nga debati

Salihu thotë se Rugova ishte student i dalluar, i thellë në mendime dhe shumë largpamës lidhur me ngjarjet dhe me lëvizjet studentore. “Rugovën e karakterizonte qetësia shpirtërore, durimi në situata kur neve nuk i përmbaheshim”.

Ai tregon se gjatë kohës që qëndruan bashkë në konvikt Rugova dhe Rexhep Ismajli ishin thelluar qysh atëherë në studime.

“Ndërsa cimeri nga Presheva dhe unë më pak, merreshim edhe me aktivitete të tjera”, thotë Salihu. Sipas tij, Rugova vlerësonte lart rilindësit tanë dhe porosia e tij (Rugovës) ishte që edhe Salihu të shkruante për idetë pedagogjike – atdhetare të rilindësve.

Gjatë studimeve në vitet 1970-71, në Universitetin e Prishtinës isha bashkëpunëtor i gazetës së studentëve të Kosovës “Bota e Re”, ku Ibrahim Rugova ishte redaktor përgjegjës dhe Daut Demaku kryeredaktor.

“Dhoma jonë numër 509 ishte dhomë debati për shumë çështje, sepse aty gravitonin edhe studentë të tjerë si Riza Halimi nga Presheva, student i Fakultetit Filozofik, Dega e Fizikës, studentë që më vonë u bënë letrarë të famshëm. Për probleme dhe çështje serioze bisedonte edhe Rugova, ndërsa ne të tjerët shpesh bisedonim edhe për çështje lokale të Preshevës”, kujton Salihu. Ai thotë se në gazetën e studentëve botoi disa punime shkencore, ndërsa porosia e Rugovës atëherë ishte të shkruajë dhe të trajtojë idetë patriotike dhe atdhetare të Naim e Sami Frashërit, të Naum Veqilharxhit, dhe të rilindësve tjerë.

“Derisa unë merresha me shkrime të lëndës së pedagogjisë në revistën e studentëve, ai më porosiste që të shkruaj për idetë pedagogjike – patriotike dhe atdhetare të rilindësve, kuptohet se brenga e madhe dhe dashuria ishte atdheu”.

Salihu tregon se pasi Rugova hyri në politikë e ka përcjellë veprimtarinë e tij, nga kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe më vonë kryetar i LDK’së.

“Ibrahim Rugova meritonte të ishte kryetar dhe lider i LDK’së sepse kishte shpirt të pastër shqiptari, për të gjithë mendonte pozitivisht, duke pasur durim, çka e bënte në sytë tanë shumë të madh dhe me vlerë”, thotë ai për mikun e tij tashmë të ndjerë.