Spitali i Marsejës ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Florenc Beqirajt më 21 dhjetor.

Një zëdhënës i Spitalit ku humbi jetën i riu, ka thënë për “Reuters”, se 23-vjeçari shkodran “vdiq pavarësisht kujdesit që i ishte dhënë atij” nga ana e personelit mjekësor atje.

Në reagim, nuk përmendet asgjë lidhur me akuzat e familjarëve, se Beqirajt i hoqën tubin e oksigjenit që e mbanin në jetë duke mos pyetur të afërmit.

Vdekja e Florenc Beqirajt ka shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri, duke përfshirë edhe politikën.

Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azil. I riu ishte arrestuar nga autoritetet franceze pasi ishte kapur pa dokumente. Më 14 dhjetor, Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij të paraburgimit në Marsejë. 23-vjeçari u transportua në spitalin publik të qytetit francez, ku pas një jave në gjendje kome, humbi jetën.  Sipas familjarëve, Florenci u dhunua në qeli. Ndërkohë policia franceze pretendon se i riu ka dashur ti japë fund jetës.

Edhe ministria e Jashtme shqiptare, në reagimin e saj për rastin, nuk sqaron akuzat e familjarëve për heqjen nga ana e mjekëve të tubave të oksigjenit që mbanin në jetë 23-vjeçarin:

“Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e z. Florenc Beqiraj. Trupi i tij u transportua në pavionin e mjekësisë ligjore të Marsejës, më 23 dhjetor, konform udhëzimeve të Prokurorisë, e cila kërkoi të kryhej autopsia. Autopsia do të kryhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që hetimi vazhdon”, njoftoi dje ministria.