I ftohti polar ka mbërthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, me temperatura që shkojnë në – 40 gradë, ndërsa metereologët parashikojnë se nuk do të ketë rritje të tyre deri në fillim të vitit 2018.

Presidenti Donald Trump përdori të ftohtin ekstrem për të përforcuar pikëpamjet e tij për ndryshimin klimatik. Ai shkroi me ironi në Twitter se lindja e shteteve te bashkuara ka nevojë për pak ngrohje globale.

Autoritetet amerikane paralajmëruan banorët në zonat e prekura që të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjeve me automjete dhe mbi të gjitha të ekspozohen sa më pak ndaj të ftohtit.

I ftohti ekstrem ka goditur ashpër edhe Kanadanë, ku në disa zona temperaturat ishin më të ulëta se në Polin e Veriut apo në planetin Mars.

Megjithëse pranuan se temperaturat janë te pazakonta, kanadezët nuk janë ndalur në aktivitetet e tyre dhe veç paralajmërimit për kujdes, autoritetet thanë se nuk ka asnjë problem në lëvizjen e njerëzve.