I biri i Muammer Gaddaf-it synon të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018

Saif al-Islam Gaddafi – i biri i ish liderit të Libisë, Muammer Gaddafi, planifikon që të garojë për president në zgjedhjet e vitit 2018 që do të mbahen atje.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i familjes, Basem al-Hashimi al-Soul.

“Saif al-Islam Gaddafi, i biri i Muammer Gaddafi-t, gëzon përkrahjen e shumicës së fiseve në Libi kështu që ai mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të 2018-ës”, ka thënë ai për Egypt Today, përcjellë Klan Kosova.

“Saif al-Islam ka në plan që të shtojë më shumë sigurinë dhe stabilitetin në akordim me gjeografinë libiane dhe bashkëpunim me fraksionet libiane”, ka thënë zëdhënësi.

Gaddafi ishte liruar nga burgu në qershor, gjashtë vjet pasi një kryengritje e përkrahur nga NATO rrëzoi babanë e tij.