Hristijan Mickoski zyrtarizon kandidaturën e tij për kryetar të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, kandidatura vjen si motiv i mbështetjes së madhe nga anëtarësia, kolegët dhe qytetarët.

Me mendim të pastër, me shumë besim dhe me zemër të hapur pranoj përgjegjësinë për të kandiduar për kryetar të VMRO-DPMNE-së- deklaroi Hristijan Mickoski.

Nga VMRO-DPMNE nuk ndajnë informacion se kush tjetër pos Mickoskit do të garojë për të parin e partisë. Zëdhënësi Ivo Kotevski, edhe pas skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave mbetet i pakapshëm për media. Nga ana tjetër, dy të përfolurit ish ministri i Jashtëm Nikolla Popovski dhe ish drejtori i Arkivit Shtetëror Filip Petrovski, nuk kanë dorëzuar kandidatura në parti. Ndërkohë Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mbrëmë me 13 vota kundër, 2 për dhe 3 të përmbajtur ka hedhur poshtë kërkesën e deputetëve Ilija Dimovski dhe Antonio Milloshovski për shtyrjen e datës së kongresit të jashtëzakonshëm të kësaj partie. Ndonëse kishte informacione se iniciativa mund të shqyrtohet edhe nga Komiteti Qendror, subjekti në opozitë përmes një kumtese hodhi poshtë një gjë të tillë. Dy iniciuesit për shtyrjen e datës së Kongresi mbrëmë para mbledhjes së komitetit ekzekutiv njoftuan paraprakisht se nuk do të kandidohen për pasardhës të Nikolla Gruevskit duke adresuar kritika të ashpra për mënyrën e organizimit të Kongresit. Milloshovski madje kërkoi që lideri i ardhshëm i partisë të mos jetë marionetë, duke shtuar se pakënaqësitë e tij ia ka thënë edhe Gruevskit në katër sy. Duke komentuar kërkesat e iniciuesve për shtyrjen e datës së kongresit, Gruevski përmes një qëndrimi në rrjetin social Facebook ka theksuar se kërkesa për shtyrjen e kongresit dhe zgjedhjen e kryesisë kolektive duhet t’i paraprijë ndryshimeve statusore dhe organizimin e kongresit tjetër të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Gruevski apeloi që askush nga anëtarët e partisë, pavarësisht pretendimeve të tyre, të mos keq-menaxhoj me ambiciet e tyre duke u thirrur në emrin e tij si kryetar në ikje. Kongresi i jashtëzakonshëm dhe i 16 me radhë i VMRO-DPMNE-së është caktuar për 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë. Për këtë kongres numri i delegatëve arrin në 544.