Ishte sezon provimesh. Kisha dhënë dy provime të plota dhe një të pjesshëm. Kisha një javë kohë për provimin e ardhshëm, por lënda ishte shumë voluminoze.

– Nuk kam për t´ia dalë dot, – i thashë Horhes. – Është e kotë të harxhoj energjitë për një çështje të humbur. Më mirë të paraqitem me ç´kam mësuar deri tani, kështu që, edhe sikur të mos e marr provimin, të paktën nuk do të jem torturuar duke studiuar një javë të tërë. – E di historinë e dy bretkosave? – më pyeti barkoshi dhe vazhdoi:

«Dy bretkosa ranë në një enë me kos dhe, të tmerruara, ndjen se po fundoseshin. Për një kohë të gjatë përplasnin këmbët për të mbërritur në anë të enës, por ishte e pamundur të notonin në atë masë të lëngëshme aq të trashë. Vetëm llokoçiteshin, duke ngelur në vend e duke u fundosur, si në një rërë të rrëshqitshme. Duke e parë të pamundur daljen në sipërfaqe, njëra nga bretkosat bërtiti: – Nuk mundem më. Është e pamundur të dal këtej. Është një material ku nuk notohet. Ç´kuptim ka të lodhem kot, kur është e sigurt se do të vdes.  Dhe kështu, ajo pushoi së lëvizuri këmbët e u fundos në atë lëng të trashë e të bardhë.

Bretkosa tjetër, më këmbëngulëse e ndoshta edhe kokëfortë, tha me vete: – Është e kotë. Nuk mund të notohet në këtë gjë. E shoh se vdekja po vjen. Ama, do të luftoj deri në grahmën e fundit, sepse nuk dua që të vdes as një sekondë përpara se të mbërrijë fundi im. Dhe vazhdoi të përplaste këmbët, edhe pse nuk bënte asnjë centimetër përpara. Përplas këmbët e llokoçitu, përplas këmbët e llokoçitu, gjithnjë në të njëjti vend, për një orë e më shumë. Dhe ja, papritur, nga gjithë ajo përplasje këmbësh, nga kosi që u tund e u rrah aq shumë u formua gjalpi. Bretkosa, e habitur, hipi mbi gjalpin dhe doli në krye të enës. Pastaj me një të kërcyer doli andej dhe shkoi në shtëpinë e saj.

Përktheu nga origjinali spanjisht Bajram Karabolli 

Horhe Bukai (1949) – është një psikodramaturg, terapeut humanist dhe shkrimtar argjentinas. Ka shkruar e botuar njëzet vepra letrare, shumica përmbledhje me tregime «Tregime për t’u menduar» (1997). Po ashtu ka botuar edhe tre vepra në bashkëpunim, dy me Silvia Salinas dhe një me Markos Aginis. Veprat e tij janë kthyer në best sellers pothuaj në gjithë vendet hispanike dhe deri tani janë përkthyer në njëzet e shtatë gjuhë.