Presidenti i Federatës Botërore të Xhudos (IJF), Marius Vizer, ua ka dhënë dritën e gjelbër xhudisteve kosovare që të marrin pjesë në Masterin e më të mirëve nga më të mirët, që do të mbahet në fundjavën e ardhshme në Shën Petersburg të Rusisë, pas kërkesës së shtetit rus që Kosova të mos përfaqësohej me simbole shtetërore.

Ministria e Jashtme e Rusisë i kishte kërkuar Kosovës që garueset e saja, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova të mos e përfaqësonin Kosovën me simbolet shtetërore për me flamurin e IJF-së, transmeton Express

Kjo kërkesë ishte hedhur poshtë nga Federata e Xhudos e Kosovës.

Express e kontaktoi të enjten Zyrën e Presidentit të IJF-së, Marius Vizer, e cila na tha se presidenti, edhe pse jashtë vendit në atë kohë, por punonte rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, sot, trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka konfirmuar në llogarinë e vet në Facebook se Kosova do të marrë pjesë në këtë Masters, duke u prezantuar e barabartë me shtetet tjera.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

Sporti mbi politikën!

Kosova merr pjesë në Masters në Rusi.

Sot në mëngjes në një telefonatë në mes mikut tonë Kryetarit të IJF Marius Vizer dhe Kryetarit të FXhK Agron Kuka na u konfirmua pjesëmarrja në The best of the best në St.Petersburg!

Presidenti Vizer ishte njeriu që me angazhimin e tij dhe bisedat që kishte me njerëz nga Komuniteti sportiv por edhe politik të shtetit Rus përsëri bëri që Kosova të prezentohet e barabartë me shtetet tjera!

Faleminderim i madh të gjithë atyre që mundësuan të jemi të barabartë me shtetet tjera!

Me sport po thehen barrierat,në mungesë të Kampiones Olimpike e cila smund të marr pjesë në Masters në Rusi do na prezentojnë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi!”