Kryetari i tretë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pritet që të liroj këtë post për një anëtar tjetër, kjo pasi zgjedhjet e brendshme janë të parapara me statut të partisë të mbahen çdo katër vite, shkruan Gazeta Blic.

Tashmë, kanë kaluar më shumë se 2 vite dhe me status të partisë këto zgjedhje do të duhej të mbaheshin në maj të vitit 2019-të.

Mirëpo, deklaratat për kandidaturë tashmë kanë filluar .Gazeta Blic ka kontaktuar disa nga kandidatët e mundshëm dhe ishte nënkryetari i kësaj partie, njëherësh kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri që i pari tregoi ambiciet për këtë post, duke paralajmëruar zgjedhjet e vitit 2019-të.

“Natyrisht se jam edhe unë do të jem një nga kandidatët dhe do të kandidoj“, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se është koha për një gjeneratë të re në krye të partisë.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i LDK-së për herë të parë në vitin 2010, ku garoi kundër Fatmir Sejdiut, duke fituar kështu me 234 vota nga gjithsej 359 delegatët e pranishëm të LDK-së.E për të dytën herë, Isa Mustafa u zgjodh kryetar në vitin 2015-të, pas votimit të Këshillit të Përgjithshëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.