Një darkë, e organizuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, do të bëjë sot bashkë kryeministrat e vendeve të Ballkanit.

Në këtë takim, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, do të flitet për gjendjen në rajon, por edhe për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Para takimit, Mogherini ka pritur veç e veç në takime të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit. Haradinaj ka qenë i pari që është pritur nga Mogherini.

Pas Haradinajt, ajo ka pritur kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, ndërsa më vonë kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Takimet sy më sy mes Mogherinit dhe kryeministrave i paraprijnë darkës së përbashkët të tyre me shefen e BE’së.

Darka në Bruksel do të mundësojë takimin e parë të Haradinajt me një kryeministër të Serbisë.