Komuna e Strumicës e ka fituar Stacionin e ri pastrues për trajtimin e ujërave të zeza me të cilin zgjidhet problemi me ujërat e zeza në komunë dhe ngriten standardet e mbrojtjes së mjedisit. Kapacitetet e instaluara në Stacionin pastrues, i cili është vendosur në fshatin Saçevë, përfshin qytetin e Strumicës me 53.419 banorë dhe 12 vendbanime, me një kapacitet ditor të ujërave të zeza prej 9.458 m3. Në shënimin e fillimit të punës të Stacionin pastrues për trajtimin e ujërave të zeza, Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev tha se implementimi i teknologjive të reja të cilat njëkohësisht do të mundësojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e drejtë të resurseve janë baza e zhvillimit afatgjatë ekonomik edhe në nivel lokal edhe në atë kombëtar. Është e rëndësishme që në këtë proces t’i zbatojmë përvojat e BE-së dhe mbështetja e saj në projekte të këtilla ka një rëndësi shumë të madhe për ne dhe ato e tregojnë qartë përkushtimin dhe dëshirën e BE-së për partneritet, shtoi Zaev.

Stacioni pastrues i ujërave të zeza është financuar përmes Instrumentit të ndihmës paraqasëse (IPA), nga pjesa e zhvillimit rajonal – komponenti i tretë. Në hapjen ishte prezent edhe ambasadori i Delegacionit të BE-së, Samuel Zhbogar.

“Ky projekt është pjesë e projekteve të financuara nga ana e BE-së për modernizimin e infrastrukturës ujore në përputhje me standardet e BE-së. Në të ardhmen e afërt do të ndërtohen stacione shtesë për pastrimin e ujërave të zeza, por paralelisht me investimet në infrastrukturë, BE-ja po ashtu punon së bashku me shtetin për reformat në sektorin e ujërave, me qëllim që të sigurohen kushte të qëndrueshme për furnizimin me ujë të të gjithë qytetarëve”, tha z-ri Zhbogar.

Ndërtimin e Stacionit pastrues të ujërave të zeza në Strumicë e ka realizuar kompania WTE, anëtare e Grupacionit EVN. WTE  është kompania lider për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza në tregun e BE-së.

“Uji është një nga resurset më të rëndësishme të shekullit 21. Për këtë shkak, mënyra në të cilën shfrytëzojmë këtë resurs bëhet një çështje shumë e rëndësishme. Ne me të vërtetë jemi krenarë që jemi liderë në BE në këtë segment dhe njëkohësisht jemi të lumtur që përmes këtij projekti kemi pasur mundësinë ta ofrojmë diturinë dhe përvojën tonë edhe në këtë vend”, tha Franc Mitermaer, anëtari i Bordit Drejtues të Grupacionit EVN.

WTE është e pranishme me projektet e saja të kësaj fushe në 18 vende të BE-së.

Stacioni pastrues i ujërave të zeza në Strumicë është realizuar në bashkëpunim me Sektorin e Bashkimit Evropian pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Sektorin e financimit qendror dhe lidhjes së kontratave pranë Ministrisë së Financave. Në këtë ngjarje, aktivitetet e tyre në realizimin e këtij projekti i ka prezantuar edhe Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, duke shprehur mirënjohje për mirëbesimin e shprehur të Delegacionit të BE-së për menaxhim me programet e financuara nga ana e BE-së. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadula Duraki theksoi rëndësinë e trajtimit të ujërave të zeza për mbrojtjen e mjedisit.