Tre persona ende të panjohur për Policinë e Kosovës kanë qenë pjesëmarrës në grabitjen e filialit të bankës “Western Union”, në Prishtinë. Të dyshuarit kanë arritur që të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërkaq Policia njofton se është në kërkim të tyre. Gazeta Express merr vesh se ata kanë plaçkitur 4500 euro.

Zyrtarë nga Policia rajonale në Prishtinë, kanë konfirmuar për Express se në orën 9:30 të mëngjesit të sotëm, është grabitur banka “Wester Union”. Gazeta merr vesh se bëhet fjalë për një shumë prej 4500 eurosh.

“Rreth orës 09:30 është pranuar informata për një grabitje në rrugën Gazmend Zajmi, respektivisht në një nga filialet “Wester Union”. Sipas informacioneve të para dyshohet që 3 persona të kenë qenë pjesëmarrës të cilët më pas kanë ikur në drejtim të panjohur. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme si dhe ka filluar hetimet lidhur me rastin”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.