Hahn gjatë një fjalimi në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane Viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi komisioneri për Zgjerimin e unionit, Johannes Hahn, në një fjalim në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane (ELIAMEP). “2018-ta do të jetë një vit i rëndësishëm dhe një mundësi për të zhvilluar më tej procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Hahn. Sipas tij Bashkimi Evropian ka nevojë për një rifillim të procesit të zgjerimit siç thotë ai duke bindur vendet kandidate dhe ato anëtare se integrimi evropian është në interes të të dyja palëve. Hahn përsëriti se BE nuk do të pranojë në gjirin e saj vende që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. “Ne nuk e duam një gjë të tillë. Ky është një leksion nga e kaluara”, deklaroi Hahn. Pa dhënë hollësi, ai shtoi se KE do të njoftonte shkurtin e ardhshëm strategjinë për Ballkanin Perëndimor.