Nicolas Otamendi e ka zgjatur kontratën me Man Cityn deri në vitin 2022.

Sipas asaj që mëson Goal nga burime të sigurta, Nicolas Otamendi e ka zgjatur kontratën me Manchester City edhe për dy vite të tjera, transmeton Gazeta Express.

29 vjeçari argjentinas është bërë faktor i rëndësishëm në suksesin e Man City që mbrëmë arriti fitoren e 17 me radhë në Premierligë. Ai ka bërë 23 paraqitje në Premierligë dhe Champions League, duke shënuar pesë gola.

Argjentinasi nënshkroi pesë vite kontratë më 2015 kur u transferua në Angli, ndërsa tani e ka zgjatur deri më 2022.

Goal ditë më parë raportoi se Fernandinho, kontrata e të cilit i skadon në verën e ardhshme, ka hedhur gjithashtu të zezën mbi të bardhë për një vit, me mundësi vazhdimi edhe një vit tjetër.

Po ashtu edhe Gabriel Jesus ka arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës deri më 2023 dhe do të nënshkruajë në fillim të vitit ardhshëm, kurse Kevin De Bruyne do të nënshkruajë marrëveshjen e re me Man City kur të merren vesh me klubin për të drejtat e imazhit.

Man City po shkon sigurt drejt titullit kampion pasi aktualisht gjendet në pozitën e parë me 55 pikë, 13 më shumë se Manchester United.