VMRO-DPMNE ka përgatitur ligj për amnisti për ngjarjet e 27 prillit dhe shpresoj që do të votohet në Kuvend, pasi që është e nevojshme qetësim nacional dhe falje”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë në Vallandovë ku po zgjidhet lideri i ri, njofton Portalb.mk.

“Vetëm ashtu vendi mund të shkojë përpara dhe t’u japë fund politikave të revanshizmit. Politikanët e mëdhenj ashtu sillen në këso momente. Duhet që edhe Zaev edhe LSDM ta mësojë këtë, me ngushëllim të plotë ndaj dhimbjes dhe stresit të tij nga ngjarja e pakëndshme e 27 prillit. Rrahja në Kuvend ishte gabim i madh. Ata njerëz u nxitën nga emocionet. Tani jemi dëshmitarë të dëshirës për hakmarrje në masë të paparë”, tha Gruevski.

Ai i falënderoi bashkëpunëtorët e afërt dhe popullin, të cilët siç tha ai, gjithmonë do t’i përkrahë. Ai u ka kërkuar falje të gjithëve në parti dhe të gjithë qytetarëve për të gjitha gabimet e siç tha ai, të paqëllimta, por tha se ka punuar shumë dhe për atë kanë ndodhur gabimet.

Ai shprehu keqardhje që kongresi i partisë po ndodh kur partia po sulmohet nga jashtë, por edhe nga brenda nga disa anëtarë dhe tha se, rëndë i dhemb kur sheh se si sillen bashkëpunëtorët e tij të afërt, të cilët janë ndërruar brenda natës.

Ai tha se ekspertët e jashtë të cilët kanë punuar në zgjedhjet lokale, i kanë kumtuar se një pjesë e bashkëpunëtorëve kanë qenë të gëzuar për humbjen zgjedhore.

“Një pjesë e bashkëpunëtorëve, edhe atë njerëzit të cilët kanë fituar shumë, para she gjithash besim dhe mundësi, funksione dhe privilegje të mëdha, por edhe nderime, në muajt e fundit nuk mund t’i njoh. Por arrita që t’i mbajë thellë në mua, të përmbahem dhe të qetësohem. I lash që të rrëzohen në varrin të cilin e kanë gropuar për tjetër kënd ose i shtura lojërat, dyfytyrësinë, jo-korrektësinë dhe tradhtinë të cilën i kanë bërë për tjerët”, tha Gruevski.

Ai në fjalimin rreth 30 minuta, u kthye nga e kaluara, në atë siç tha ai, në fillimet e rënda si lider i VMRO-DPMNE-së dhe i përmendi të arriturat e partisë derisa ka qenë në pushtet.

Gruevski tha se, Martin Protugjer i ka thënë se mandatin e ka filluar dhe mbaruar me thikë në shpinë.

“E korrigjova, dhe i thash që nuk ka të drejtë, e mbaroj mandatin jo me një thikë, por me shumë thika në shpinë. Por, për fat të mirë, në VMRO-DPMNE ka shumë personalitete të ngjashme, njerëz të ndershëm, njerëz me moral dhe kapacitet të lartë, njerëz që e duan këtë vend dhe popullin e tyre, njerëz të cilët kanë ndërgjegje të pastër, mendim të pastër, shumë energji dhe vlera të fuqishme morale”, shtoi ai.

Kryetarin e ri, Gruevksi e porositi, që “të jetë njeri pasi që fuqia dhe pushteti e bën njeriun të bëhet më i keq, më nervoz dhe më pak tolerant” dhe shtoi se ai në periudhën e fundit do të punojë që të bëhet njeri më i mirë, baba, bashkëshort, mik dhe bashkëpunëtor më i mirë.