Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Maqedonisë, deputeti i BDI-së Artan Grubi, ka rithirrur komisionin për ta përfunduar leximin e dytë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, mëson  Ilirianews.

Leximi i parë i Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve përfundoi në mes të nëntorit nëpërmjet të miratimit të nevojës për miratimin e këtij ligji në Seancën nr. 15 të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Fillimisht, Komisioni për Çështje Evropiane si trup punues amë i cili e shqyrton këtë Propozim-ligj dhe kryetari i këtij Komisioni, z. Artan Grubi, e caktuan Mbledhjen më 22 nëntor, me çka duheshte të fillojë leximi i dytë për këtë Propozim-ligj dhe debati i amendamenteve për të.

Kjo mbledhje u anulua për arsye të afateve prioritare që kishin ligjet reformuese të kërkuara urgjentisht nga Brukseli, por rikthehet tash pas dy javësh në betejën përfundimtare për rrumbullakësim të Marrëveshjes së Ohrit nëpërmjet të barazisë gjuhësore.

Pikërisht pas kthimit të tij të djeshëm nga vizita disaditore në Bruksel, Deputeti Grubi vendosi që të thirrë komisionin për ta vijuar procesin e miratimit të ligjit në lexim të dytë.

Sfida e deputetëve të BDI në komision do të jetë mbrojtja e formës autentike të propozim ligjit dhe mos lejimin e ndryshimit të tij nëpërmjet të 91 amandamenteve të propozuara nga ana e VMRO DPMNE, LSDM dhe Besa.