Pa bekimin e BE-së e SHBA-së, Artan Grubi nga BDI arriti ta shpie ligjin e gjuhëve direkt në votim, pa pasur bile debat amendamentesh. Kështu kanë përfunduar gjitha seancat e Komisionit për çështje evropiane, kur gjatë javës u konfrontuan veçmas BESA dhe BDI.

Këto kanë qenë artikujt e mediave maqedonase, derisa mbi këtë vendim të Grubit kanë hedhur vrer edhe intelektualë e profesorë maqedonas. 

“LSDM edhe pse paralajmëroi se me katër amendamente do të intervenojë në ligjin e gjuhëve, ata u zmbrapsën shkaku i replikave të gjata nga partneri i koalicionit, BDI. Me këtë pushteti paralajmëroi se amendamentet do të bëhen pjesë e ligjit pasi të sillet në Kuvend dhe të kthehet nga Komisioni i Venecias”, shkruajnë mediat maqedonase, informon Medial.mk.

Madje, intelektualë maqedonas, të prirur nga profesoreshat Katica Qulavkova, Gordana Siljanovska- Davkova dhe Simona Gruevska- Maxhoska i janë drejtuar me një letër të hapur deputetëve dhe opinionit ku kërkojnë tërheqjen me urgjencë të ligjit të gjuhëve. 

“Deputeti Artan Grubi duke (keq)përdorur flamurin evropian dhe statusin e kryetarit të KÇE-së, (kundër Rregullores dhe në mungesë të opozitës) e çon ligjin drejt votimit! Zaten, ai këtë e bëri duke dërguar ftesa në tre gjuhë (maqedonisht, shqip dhe anglisht) pjesëmarrësve në Komisionin e tij jokompetent. Në vend se miratim të shpejtë, propozojmë tërheqjen urgjente të të njëjtës”, reagojnë profesoret e apostrofuara.

Deputeti Grubi me sa duket ka vendosur që mos të lejojë asnjë ndryshim të ligjit për gjuhën shqipe duke bllokuar amendamentet e VMRO DPMNE-së dhe partisë BESA. Sipas Grubit, nëse lejohet ndryshimi i ligjit në Komision, atëherë komplikohet tejmase miratimi i ligjit për gjuhën shqipe dhe stërzgjaten të gjitha afatet. Leximi i parë i propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve përfundoi në mes të nëntorit nëpërmjet të miratimit të nevojës për miratimin e këtij ligji në seancën e 15-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.