Për 31 janar të vitit të ardhshëm është shtyrë gjykimi për lëndën e PSP-së “Trajektorja”. Në seancën e sotme nuk mori pjesë ish-kryeministri dhe lideri i deri para pak kohësh i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili siç tha gjykatësi Goran Boshevski, në mënyrë të rregullt është thirrur. Gruevski arriti në gjykatë 15-të minuta, pasi seanca u shty.

Në rastin “Trajektorja” janë të akuzuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë shtetërore, Lupço Georgievski.

Ata janë të dyshuar se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë aksione me të cilat në procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinoc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë, sipas PSP-së, u kanë shkaktuar dëm buxhetit shtetëror prej të paktën 155 milionë euro dhe për të njëjtën shumë kompanisë realizuese i kanë ofruar të përfitojë dobi pronësore.

Seancë gjyqësore për lëndën “Trajektorja” gjykatësi caktoi edhe për më 14 shkurt.

Edhe pse paraprakisht, u paralajmërua në ueb faqen e PPS-së sot seancë nuk u mbajt për lëndën “Trust”, në të cilën i akuzuar i parë është biznesmeni Sead Koçan dhe dy persona fizik dhe tre persona juridik, midis të cilëve edhe drejtuesit e firmave “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP, për pjesëmarrje në një tender të Elektranave të Maqedonisë.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë euro.

Seanca e ardhshme për “Trust” duhet të mbahet më 18 janar të vitit të ardhshëm.