Një urim për Ditën e Rinisë që markon një kohë të largët, 27 vite më parë, kur studentët në Tiranë bërtisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Të shumta janë debatet, nëse ishin studentët “dhjetoristë” ata që rrëzuan komunizmin në Shqipëri, apo nëse qe vetë kasta e cila u “shua” për shkak se nuk mbahej dot më në këmbë.

Por 27 vjet më vonë ka vetëm një fitore në këtë ditë të shënuar për vendin, faktin se 8 dhjetori është ditë pushimi me ligj.

Është ky komenti i “hidhur” i ish deputetit Astrit Patozi, i cili nuk ndalon vetëm tek aspirata e kahershme për ta çuar Shqipërinë në Evropë.

Pak më parë u shpall dhe fituesi në Fakultetin e Histori- Filologjisë. Dekan i ri u zgjodh Sabri Laci, profesor i gjeografisë. Por gara e nisur në 7 dhjetor nuk ka shkuar mirë pasi vetë Laci dhe kundërshtarja e tij për këtë post Aljula Jubani, nuk i kanë kursyer kritikat dhe akuzat kundër njëri tjetrit. Të dy akuzonin se votat ishin vjedhur dhe se kishte patur ndërhyrje flagrante gjatë procesit të votimit.

Një “tingull” mëse i dëgjuar në skenën politike shqiptare, të cilën Astrit Patozi e vë përballë aspiratës së studentëve dhjetoristë në vitet 90’.

Për më tepër lexoni postimin e Patozit:

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në këtë vend me aspiratën e studentëve të dhjetorit 90′, që e donin Shqipërinë si gjithë Europa, nuk ka nevojë të lodhesh shumë.

Mjafton vetëm një shembull, historia e freskët e zgjedhjeve të Fakultetit Histori-Filiologji, të cilat, si për ironi, janë mbajtur në ditën e përvjetorit të Lëvizjes Studentore.

Për të qenë më të saktë, votimi është kryer më 7 dhjetor, por shumë pedagogë e kanë pritur gdhirjen e 8 dhjetorit jashtë duke ruajtur votat, që të mos ua vidhte “armiku”.

I cili, sipas shumë burimeve të besueshme, qenka një aleancë e fuqishme dhe shumëvjeçare politikanësh të rëndësishëm të disa partive politike. Që qenkan bërë bashķë për të ruajtur ose marrë këtë ambjent modest universitar, a thua se nuk u mjaftojnë “pushtimet” e tjera.

A mund të kishte ilustrim më të mirë për katandisjen e parimeve dhe vlerave, që frymëzuan 27 vjet më parë studentët dhe pedagogët e Lëvizjes së Dhjetorit, se sa ky?

A ka më kuptim të diskutohet për vlerën e votës në këtë vend, kur ajo manipulohet, vidhet dhe deformohet kaq hapur e brutalisht edhe në universitete?

Gjithësesi, gëzuar 8 dhjetorin! Se të paktën një fitore është arritur. Është shpallur zyrtarisht dhe me ligj si ditë pushimi.