Paolo Cannavaro ka njoftuar se do të largohet përfundimisht nga futbolli dhe do të ndihmojë vëllain e vet, Fabion, në skuadrën kineze, Guangzhou Evergrande.

“Do të jetë një vit i ri dhe një jetë e re”, ka thënë italiani.

Cannavaro do t’i thotë lamtumirë jo vetëm Sassuolos, por edhe futbollit profesionist në përgjithësi këtë të shtunë gjatë ndeshjes mes Sassuolos dhe Romës, dhe më pas 36-vjeçari do t’i bashkohet vëllait të vet në Kinë.

“Kam dashur të lë gjurmë në fushë dhe jashtë saj. Ambiciet i kam pasur shumë të forta, dhe për këtë, dua të falënderoj presidentin Squinzi dhe Carnevalin. Ata po më japin një mundësi që nuk është e lehtë ta fitosh midis sezonit. Do ta ndihmoj Fabion si bashkëpunëtor teknik. Mund t’i stërvit ata që luajnë më pak gjatë sezonit”, ka shpjeguar Cannavaro.