Në përfundim të vitit kalendarik 2017, Reali i Madridit është skuadra që kryeson renditjen e UEFA-s. Skuadra dy herë kampione e Botës në dy vitet e fundit ka koeficientin më të lartë, duke lënë pas rivalët e Barcelonës.
Në vendin e tretë pozicionohet Bayern Munchen, që thyen hegjemoninë e spanjollëve, duke lënë në vendin e katërt Atletico Madrid.
E pesta, dhe skuadra e parë nga Seria A italiane është Juventusi, që ka lënë pas Paris Saint Germain, Sevilla e Manchester City. Dhjetë vendet e para plotësohen nga Borussia Dortmund dhe Benfica.
Ndërkohë, kampionati spanjoll kryeson klasifikimin special të ligave europiane, që përllogariten në bazë të koeficientit për pesë vitet e fundit.
La Liga ndodhet përpara Premier League, me Serinë A që plotëson podiumin virtual, ndërsa Bundesliga gjermane që pozicionohet e katërta.
Asnjë ndryshim për Kategorinë Superiore që mbetet në vendin e 34-t në nivel kontinental, duke lënë pas ligat e Islandës, Hungarisë, Maqedonisë e Finlandës.
Mbyll renditjen speciale Kosova, me vendin e 55-të. Superliga kosovare është mbrapa kampionateve në Gjibraltar, Andorë e San Marino, prej faktit se është njohur vetëm prej një viti dhe nuk mund të përfshihet në përllogaritjen 5-vjeçare të UEFA-s.