Funksionarët e ASH-së në mënyrë kolektive sot do të deponojnë dorëheqjet në Qeveri.

Largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria vjen pak ditë pas votimit të ministrit të Shëndetësisë nga radhët e LSDM-së, dikaster të cilin deri para zgjedhjeve lokale e drejtonte Aben Taravari i Aleancës për Shqiptarët.

Në këmbim të Shëndetësisë, Zaev i ofroi subjektit të Selës zv/Kryeministrin për zbatimin e reformave, por i pari i Aleancës këtë organ e kryqëzoi si zëvendëskryeministri për byrek dhe për të njëjtën tha se duhet ta udhëheq BDI-ja. Pas vendimit për të dalë nga qeveria, Sela tha se do të mbështesin ligjet dhe reformat e nevojshme për në BE.

Kryeministri Zoran Zaev nuk e ka pritur me qetësi lajmin për dorëheqjet e funksionarëve të Aleancës për Shqiptarët. Ai përveç kësaj ka çuar porosi indirekte se disa dëshiron ti mbajë në rast se do të dakordoheshin.

“Në këtë drejtim nuk ngutem me shkarkimet.  Sot lexova se kanë nisur të japin dorëheqje. Do të ndjek procesin nga afër. Do të shoh se për çfarë bëhet fjalë. Aty ka njerëz me kualitet,  me të cilët do të doja të bashkëpunojë edhe më tej.”, ka theksuar Zaev, duke mos dhënë emra se për cilët bëhet fjalë.

Dy numrat e Aleancës për Shqiptarët shumica i zëvendësoi me votat e deputetëve Çedomir Sazdovski dhe Amdi Bajram.