Derbi i madh italian mes Juventusit dhe Romës po afron dhe e gjithë vëmendja të shtunën do të jetë në Torino.

Dy rivalët e mëdhenj edhe këtë edicion duket se do të diskutojnë për titull, por për dallim nga vitet e kaluara këtë vit po e kërkojnë trofeun edhe Inter e Napoli.

Mesfushori i Romës, Alessandro Florenzi ka folur për ndeshjen derbi, duke besuar se do të marrin pikë në Torino.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme por nuk mendoj se do të vendos për titullin e kampionit”.

“Nuk është e lehtë kurrë të luash në Torino, por ne duam të ndryshojmë dhe të marrim pikë nga kjo ndeshje”, ka deklaruar zëvendës kapiteni i Romës.

Ai ka thënë se nga kjo skuadër aktuale e Juventusit do ta hiqte argjentinasin Paulo Dybala.

“Juventusit do t’ia hiqja Dybalan, është një kampion dhe shumë e vështirë të ndalet”, ka thënë Florenzi.

“Vendin e parë që e morëm në grupet e Ligës së Kampionëve duhet ta dëshmojmë jo vetëm ndaj Juventusit por në tërë kampionatin”, ka përfunduar Florenzi.

Aktualisht Roma zë pozitën e katërt në tabelë me 38 pikë të tubuara, tri më pak se Juventusi që zë pozitën e dytë, por skuadra e Eusebio Di Francescos ka një ndeshje më pak të zhvilluar.