Pas publikimit të mesazheve private ndërmjet zyrtarëve të Vetëvendosjes, ka folur edhe Aida Dërguti përmes një postimi në Facebook. Ajo përveq që ka kërkuar falje Albin Kurtit dhe secilit anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ajo ka sqaruar edhe atë që është bërë publike në media.

Dërguti ka thënë se një reagim i tillë i saj ka ardhur pas disa problemeve në parti, ku sipas saj një grup i caktuar i njerëzve po synon të instaloj një mënyrë të vepruarit që kushtëzon mosbesim dhe frikë ndërmjet anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky është postimi i plotë:

Pas publikimit të një pjese të diskutimit të brendshëm mes Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndjejë nevojën që të kërkoj falje por edhe ta sqaroj atë që është publikuar. I kërkoj falje së pari Albinit, e pastaj secilit anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! opinionit publik për gjuhën e përdorur e mënyrën e të shprehurit në atë diskutim. Këtë nuk e kam bërë deri tash sepse kam dashur ta bëjë së pari para Albinit kur të lirohet nga burgu ku po mbahet padrejtësisht. Siqodoftë tash pasi që kjo u publikua ndihem e detyruar ta bëjë kështu.

Gjuha që kam përdorur në komunikimin e grupit të deputetëve është jashtë kornizave normale të diskutimit. Duke qenë kështu ajo është e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Një reagim i tillë imi vjen pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative që i kam me njerëz të caktuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Ka një kohë që brenda organizatës sonë po synon të instalohet një mënyrë e caktuar të menduarit e vepruarit politike që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysëm të vërtetave, është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar. Kjo e rrezikon Lëvizjen sepse instalon një mendësi politike në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë parimor e i hapur i qëndrimeve tona politike e vendimeve tona organizative.

Këto probleme e mospajtime kanë më shumë se një vit që po zgjasin. Vazhdimisht kam qenë e përfshirë në tentim që t’i zgjidhim ato. Kjo do të jetë fuqia organizative e VETËVENDOSJE!-s. Mirëpo tentimet tona kanë qenë të minuara e vazhdojnë të minohen nga njerëz të caktuar. Unë edhe sot nuk e di se kujt i konvenon që këto probleme, në vend se t’i zgjidhim brenda t’i publikojnë në media? Nuk e kuptoj kujt i intereson që të kemi proces të linçimit publik ndaj njerëzve të VETËVENDOSJE!-s?

Këto janë probleme që na takon t’i zgjidhim bashkë. Përmes diskutimeve të sinqerta e vetëkritikës. Përmes demokracisë e demokratizimit. Brenda organizatës. VETËVENDOSJE! kështu është. VETËVENDOSJE! vetëm kështu mund të jetë.