Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christpher Bennet, ka thënë se ata janë duke vazhduar punën në bazë të mandatit që u ka dhënë ligji.

Në një deklaratë të shkurtër për kallxo zëdhënësi Bennet nuk ka dashur t’i komentojë zhvillimet në Prishtinë ku një grup i deputetëve të Kuvendit i kanë mbledhur nënshkrimet për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme me të cilën do të bëhej përpjekje për shfuqizimin e Ligjit i cili themelon gjykatën që do t’i trajtojë krimet e pretenduara se janë kryer nga ish pjesëtarët e UÇK-së.

“Ne punojmë në kuadër të Ligjit për Specialen dhe po punojmë në kuadër të mandatit aktual. Nuk mund të flasim për ndonjë mandat tjetër eventual”, tha Bennet.

“Nuk mund të spekuloj për gjëra të tilla. Unë flas vetëm për mandatin tonë dhe mandati ynë vjen nga Ligji Special dhe ne jemi të fokusuar në këtë”, nënvizoi ai.

Një mbledhje e kryesisë së Kuvendit për ta shqyrtuar kërkesën e deputetëve pritet në fillojë në orën 21 ndërsa komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që ta stopojnë këtë iniciativë.