Pas publikimit të lajmit se ka përçarje të thella në Lëvizjen Vetëvendosje, ka reaguar edhe deputeti i saj Fisnik Ismaili.

Ai në një postim në Facebook, i ka dalë në mbrojtje deputetes Aida Dërguti, e cila ka fyer  ish-liderin e kësaj partie, duke iu referuar edhe si “m*t”.

“Aida ia ka dedikue jetën luftës për mendimin e lirë edhe kundër dhunës! Kur po ju shoh kah shpreheni kështu ju, do aktivistë të Lëvizjes, që iu ka qitë buza tambël kur Aida i kishte mushknitë plot gaz lotsjellës nëpër protesta, po m’vje marre që jam me juve në një organizatë”, ka shkruar ndër të tjerash Ismaili.

Më poshtë postimi i plotë:

Aida Dërguti ka qenë në Lëvizje prej ditëve të para të saj, kur ne të tjerët as s’kemi dijtë çka është Lëvizja.

Aida Dërguti ishte Nënkryetare e Lëvizjes, e qe dy mandate edhe Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Në këtë pozitë s’ka mbërri sepse dikush e ka vendosë aty, por sepse për vite me radhë është sakrifikue e angazhue për ideal, me përkushtimin më të madh.

Aida Dërguti është një grue jashtëzakonisht e guximshme, e cila është dëshmue në radhët e UÇK-së, është dëshmue me angazhimin e saj sa në rrugë, ashtu edhe në institucionin më të naltë shtetnor, është dëshmue si aktiviste e pandalshme për të drejtat e grave, veteranëve, e krejt qesaj shoqnie.

Aida Dërguti është një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e suksesshëm të Lëvizjes deri këtu.

Prandej JO! Nuk pranoj, ne asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit!

Aida ia ka dedikue jetën luftës për mendimin e lirë edhe kundër dhunës! Kur po ju shoh kah shpreheni kështu ju, do aktivistë të Lëvizjes, që iu ka qitë buza tambël kur Aida i kishte mushknitë plot gaz lotsjellës nëpër protesta, po m’vje marre që jam me juve në një organizatë.

Aidës, Albinit edhe Kryesisë së Lëvizjes i takon me vendosë se pse, kush edhe qysh ka faj për këtë situatë, jo juve! Jo në këtë mënyrë! Asnjiherë! Kjo çka po e shoh NUK e përfaqëson Lëvizjen edhe idealin e saj! ASNJIHERË!