Në Bruksel sot pasdite filloi samiti dyditor i ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të NATO-s, në të cilin fokusi është vendosur në përforcimin e bashkëpunimit me BE-në, luftën kundër terrorizmit, si dhe gjendjen rreth Koresë së Veriut.

Në takim merr pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dje tha se bisedimet do të hapen me diskutime për bashkëpunim akoma më të madh NATO-BE edhe atë me prezencën e përfaqësuesve të BE-së, si dhe me ministrat e Finlandës dhe të Suedisë.

“Në këtë takim qëllimi ynë është të shkojmë një hap më përpara, të vijmë deri tek paketa e re me masa. Shpresoj për marrëveshje”, deklaroi Stoltenberg.

Ministrat do të bisedojnë edhe për luftën kundër terrorizmit, si dhe për tema të tjera.

Samiti do të përfundojë me takim lidhur me politikën e “dyerve të hapura”.

Qëllimi është pas pranimit të Malit të Zi të shqyrtohet se cilat janë mënyrat më të mira që të mbështeten shtetet të cilat dëshirojnë anëtarësim në NATO.

Takimi përfundon nesër dhe është pjesë e përgatitjeve për samitin e NATO-s në korrik në Bruksel.