Në Gjykatën Penale sot filloi gjykimi për tentim për vrasje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Ljupço Stojanovski, gjyshi i Tamarës së vogël, e cila vdiq para dy viteve duke pritur që Fondi t’i miratojë mjete për operacion jashtë vendit, më 1 qershor të këtij viti, para Ministrisë së Shëndetësisë, me pistoletë gjuajti ndaj Todorovit, i cili nuk u lëndua.

Stojanovski ngarkohet për “tentim për vrasje” dhe “përpunim, mbajtje dhe tregtim i palejuar me armë apo materie spërkatëse”. Gjykata i caktoi masë paraburgimi Stojanovskit, për shkak të ekzistimit të dyshimit nga ikja dhe rreziku për kryerje të veprës së njëjtë penale.

Avokatja e Stojanovskit, Pavlina Zefiq në fillim të gjykimit kërkoi të hiqet gjykatësja Sofia Laliçiq, sepse është prezente në bisedat e përgjuara që i kumtoi LSDM.