Filloi ndërtimi i fazës së dytë të projektit për rregullimin e Lumit të Likovës, projekt i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNDP-së, për mbrojtje prej përmbytjeve në rajonet me rrezik të lartë.

Fillimin e ndërtimit sot në Likovë e shënuan ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraki, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Luiza Vinton dhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

“Dua të falënderohem për mbështetjen e madhe të UNDP-së dhe të njoftoj për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në interes të qytetarëve të komunës dhe kudo në vend. E përgëzoj kryetarin e komunës për realizimin e projektit dhe i dëshiroj edhe shumë nisma të këtilla të suksesshme në të ardhmen “, tha ministri i Mjedisit Jetësor Duraki.

“Ky projekt është pjesë e një programi më të madh të UNDP-së për zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet në zonat më të prekura në vend. Me mbështetjen tonë, komuna do të jetë në gjendje ta përfundojë plotësisht këtë projekt, i cili është me rëndësi të madhe për banorët e saj”, tha Luiza Vinton, përfaqësuese e përhershme e Programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas kryetarit të komunës Arifi projekti jo vetëm që do të sigurojë mbrojtje afatgjatë kundër përmbytjeve të popullsisë dhe pronës, por gjithashtu do të pasurojë hapësirën në qendër të komunës së Likovës.

“Pikërisht projektet e këtilla në mënyrë plotësuese i theksojnë mundësitë zhvillimore të komunës sonë “, tha Arifi.

Projekti, me vlerë prej 200.000 dollarësh amerikanë është duke u zbatuar me mbështetjen e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe qëllimi i tij është të përfundojë rregullimi i lumit në një gjatësi shtesë prej 400 metrash, gjë që do të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve në të ardhmen.