Në Nju Jork, qyteti amerikan ku zakonisht marrin pjesë më shumë njerëz në festimet e natës së Vitit të Ri, janë shtuar sot së tepërmi masat e sigurisë në sheshin Times Square, ku zhvillohet ceremonia tradicionale e pritjes së Vitit të Ri.

Zyrtarët e qytetit thonë se sonte në shesh pritet të mblidhen rreth 1 milionë njerëz nga e gjithë bota, për të parë rënien e lirë të sferës, që përfundon me momentin emocional të ardhjes së Vitit 2018.

Policia e qytetit të Nju Jorkut ka vendosur më tepër se 1 mijë kamera sigurie në shesh dhe rreth tij, si dhe një numër rekord oficerësh policie për patrullimin e mbarë zonës. Këto masa të forta sigurie merren sidomos pas sulmeve terroriste që ka patur edhe kohët e fundit në qytetin ikonë të Amerikës.

Për herë të parë në ndërtesat e larta të Nju Jorkut janë vendosur këtë vit snajperë, për të qenë të gatshëm në rast nevoje.

Vizitorët që hyjnë në shesh do të kalojnë dy herë para detektorëve të metaleve dhe qenve të sigurisë.

Veç kësaj, në pika të veçanta të sheshit Times Square, ku ka më tepër turistë, janë vendosur blloqe betoni, në përjekje për të parandaluar akte të mundshme terroriste.