Ajo që duhet t’i shqetësojë me të vërtet prindërit nuk janë peripecitë e tmerrshme që burojë nga mendja e fëmijëve të tyre, por që gënjeshtrat e vogla të përditshme që fillimisht duket se nuk kanë asnjë kuptim.

Nëse ato nuk korrigjohen që në stadet e para, me siguri do të lënë gjurmë në karakterin dhe formimin e fëmijës, ndërsa rritet. Ndaj, është e nevojshme të mësoni sesi t’i trajtoni këto gënjeshtra dhe se çfarë duhet të keni kujdes tek fëmija në mënyrë që ai të jetë i lirë të thotë gjithmonë dhe pa frikë të vërtetën.

Deri më sot janë realizuar mjaft sondazhe në lidhje me faktin se përse njerëzit që në moshë të hershme thonë gënjeshtra. Natyrisht, nuk ekziston asnjë që të mos ketë rënë në kurthin e tyre për të ofruar një zgjidhje të mundshme të një problemi që e preokupon, apo për të shpëtuar nga një situatë e ngatërruar.

Dhe nëse e analizoni disi më thellë këtë çështje do të provoni se ndërsa shqetësoheni për gënjeshtrat e fëmijëve, ju vetë vazhdoni t’i përdorni me “sukses” ato deri më sot. Kjo nuk shfajëson gënjeshtrën në vetvete por na ndihmon të kuptojmë më mirë se fëmijët që thonë gënjeshtra nuk janë në thelb të pamoralshëm.

Në këto kushte, është më se e nevojshme që të merremi paksa më gjerë me trajtimin e këtij problemi, duke i kushtuar rëndësi arsyeve që i shtyjnë fëmijët të përdorin gënjeshtrat. Në përgjithësi, arsyet janë të njëjta me ato që na detyrojnë edhe vetë neve, të mëdhenjve, transmeton Telegrafi.

Themi gënjeshtra kur ndjehemi të bllokuar ose të kërcënuar, apo kur frikësohemi se mos do të ndëshkohemi, ose do të dështojmë. Dhe në përgjithësi, synojmë (ose të paktën pretendojmë) që nëpërmjet gënjeshtrës të bëjmë gjithçka më të lehtë për të gjithë, e në radhë të parë për ne. Por, ka raste, kur gënjeshtra është tregues i një vetëbesimi të ulët në vetvete.

Pikërisht këtu, prindërit duhet të bëjnë një punë akoma më të madhe, me qëllim që fëmija i tyre të mund të rifitojë ekuilibrat e humbur dhe të përfshihet në jetë me dinjitet, personalitet dhe vetëbesim sa më të lartë.

Madje, shumë specialistë e lidhin tendencën e fëmijëve për të gënjyer edhe me ambientin familjar, duke përdorur shpesh edhe frazën “gjen i trashëguar”, apo “me një sy mbyllur”.

Në rastin e parë, për të cilin specialistët vazhdojnë ende të konfliktojnë, supozohet (pa u provuar akoma) se fëmija i cili ka prindër gënjeshtarë ose të paktën njerëz të tillë në rrethin e tij të ngushtë familjar, ka më shumë mundësi që të trashëgojë një tendencë të tillë. “A nuk ndodh e njëjta gjë me karakterin”? – pyesin specialistët dhe shtojnë: “Gjithçka që ne kërkojmë, përfshi edhe gënjeshtrën, është regjistruar në kodin tonë gjenetik”.

A ekziston zgjidhje në këtë rast? Padyshim. Ajo duhet kërkuar në minimizimin e tendencës për të gënjyer, pa pretenduar shuarjen e plotë të saj.

Në rastin e dytë, ambienti familjar është vendi, kur pjesëtarët në të, përdorin shpesh si mënyrë sjelljeje gënjeshtrën. Kështu psh. fëmija i cili dëgjon nënën të gënjejë se babai nuk ndodhet në shtëpi, apo nuk është kthyer ende, padyshim që herët a vonë do ta kopjojë këtë model sjelljeje. Dhe nëse kjo nuk sqarohet apo nuk merr fund por vazhdon me intensitet atëherë të mos kini dyshimin më të vogël se familjes i është shtuar edhe një “gënjeshtar” më shumë. Si duhet vepruar në këto raste?

Është e kuptueshme se të mëdhenjtë, pra prindërit, kanë arsyet e tyre që thonë gënjeshtra, dhe ndoshta në shumicën e rasteve të jenë të detyruar që të bëjnë një gjë të tillë. Por, që veprimet e tyre të mos kenë pasoja tek fëmijët, ata duhet të kujdesen që të paktën ata (fëmijët) të mos jenë të pranishëm kur ata thonë gënjeshtra, ose në rastin tjetër, të mundohen të bisedojnë me ta dhe t’u shpjegojnë arsyet në vija të përgjithshme se përse ata duhet të thonë diçka të tillë.

Vetëm kështu fëmija do të krijojë një lloj koncepti për atë që ndodh, atë që duhet të thotë apo jo, pra do të dijë të bëj dallimin midis të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe prioritetin që ka e para.

Çfarë mund të bëni?

1 Pushoni së bëri pyetje të cilat ruajnë një lloj kurthi të gënjeshtërt. Kështu, psh., në vend që të thoni “E rregullova dhomën tënde”, pyesni: “Pashë se nuk e keni rregulluar dhomën tënde. Çfarë mendon të bësh për këtë?”

2 Para së gjithash, duhet të jeni vetë ju i sinqertë. Thoni: “Kjo që thua nuk duket si e vërtetë. Të gjithë thonë gënjeshtra kur ndjehen të frikësuar! Jam në dispozicionin tënd për të biseduar!”.

3 Ofroni zgjidhje: “Çfarë duhet të bëjmë që të përfundosh punët që ke marrë përsipër?, në vend të shprehjes “I bëre punët që të ngarkova”.

4 Kërkoni dhe gjeni shkakun. Nëse fëmija ju thotë se nuk ka ngrënë, ndërkohë që ka ngrënë, atëherë pyeteni: “Mos ke uri?”. Është e nevojshme gjithmonë që të gjeni zgjidhje për urinë e tij dhe jo për gënjeshtrën. Mos vallë me këtë mënyrë kërkon të tërheqë vëmendjen tuaj?

5 Respektoni nevojën e tij për fshehtësi. Ekzistojnë çështje për të cilat fëmijët nuk dëshirojnë të bisedojnë me prindërit. Në këto raste është më e preferueshme që të mos pyesni, me qëllim që të mos dëgjoni ndonjë gënjeshtër.

Për një të ardhme më të mirë

1 I ndihmoni fëmijët që të kuptojnë se gabimet janë shanse për të mësuar dhe nuk është e nevojshme që të mbulohen. Për të qenë sa më të besueshëm, u tregoni atyre një histori tuajën personale, kur thatë të vërtetën, pavarësisht nga pasojat, pasi respekti për veten është tepër i rëndësishëm për ju. Por mos u mbani leksion, pasi do t’i mërzisni!

2 I shpjegoni fëmijëve se i doni pa kufij. Shumë fëmijë thonë gënjeshtra për të mos zhgënjyer prindërit e tyre.

3 Pushoni së ushtruari presion dhe kontroll të pafund mbi ta. Do t’ju thonë gënjeshtra dhe do të përpiqen të përmbushin dëshirat dhe ato që ju besoni.

4 Përpiquni t’i inkurajoni duke ju thënë: “Të falënderoj që më the të vërtetën. E di se sa e vështirë ishte”.

5 Mbi të gjitha, fëmijët e kanë të nevojshme që të mësojnë se janë të sigurt për të thënë të vërtetën dhe nuk duhet të kenë frikë nga pasojat. Është e domosdoshme të kuptojnë se prindërit e tyre interesohen për frikën dhe gabimet që ata bëjnë dhe se do t’i ndihmojnë t’i kapërcejnë ato.

Global