Familja e Mitro Gocit në fshatin Valare, përherë shndërrohet në objekt goditjeje nga vërshimi i ujërave sa herë që moti tërbohet në Gjirokastër. Tre herë në tre vitet e fundit, banesa e tij përdhese e cila ndodhet në një ndërtesë dy katëshe, është përmbytur po kaq herë.

Pronari i apartamentit Mitro Goci, shumë herë është ankuar për gjendjen por askush nuk i ka shkuar në ndihmë pasi në të tre herët veçse kanë verifikuar nga afër situatën dhe asnjë lloj ndihme nuk ka përfituar.

Ai akuzon qeverinë vendore për më tepër administratorin e njësisë vendore apo dhe ish kreun e komunës për grabitje të të hollave që ishin destinuar sipas tij, për rigjenerimin e banesës. Në të tre rastet mobiljet i ka ndërruar me lekët e veta ndonëse është pensionist por e kanë ndihmuar fëmijët në emigracion.

Mitro Goci jeton së bashku me gruan e tij dhe fundjavën e shkuar, vala e ujërave e përmbyti sërish banesën duke nxjerrë jashtë funksionit tërësisht të gjitha pajisjet elektroshtëpiake apo dhe orenditë e tjera pa kursyer madje edhe lagështinë në ambjentet brenda.

I hidhëruar nga mungesa e vëmendjes nga ana e shtetit, ai është skeptik për gjithçka që i kanë premtuar madje as nuk ka dashur t’u shkojë në derë autoriteteve sepse e di që nuk do të përfitojë asgjë veçse gënjeshtrën e radhës./Jugnews/