Testi që Koreja e Veriut kreu javën e shkuar ka dëshmuar se rrezja e fluturimit të raketave të saj i kalon tani të 13 mijë kilometrat, duke përfshirë në distancën goditëse pjesën më të madhe të vendeve në glob.

Amerika e Jugut është i vetmi kontinent i populluar që nuk hyn në rrezen e Penianit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa janë lehtësisht të arritshme, sipas përllogaritjeve të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në SHBA.

Raketa balistike ndërkontinentale “Hwasong 15”, që Peniani pretendon se mban një kokë të rëndë, super të madhe, u lançua të mërkurën.

Ushtria koreano-jugore tha se ajo fluturoi 10 herë më lart sesa Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar dhe dy herë më lart se çdo satelit në orbitën e poshtme të Tokës.

Sipas përllogaritjeve të institutit amerikan, raketa ka rritur fushën e veprimit të Penianit me 3 mijë kilometra, krahasuar me “Hwasong 14” që u testua në korrik.

Ekspertët e institutit thanë sidoqoftë se, të dyja raketat e kanë përfshirë përfundimisht Europën në rrezen e Koresë së Veriut.

Raketat “KN 08” dhe “KN 14 Hwasong 13”, të Kim Jong-unit, po ashtu vlerësohet se e kanë kapacitetin për të arritur Europën, e madje prej disa vitesh, por ato nuk janë testuar asnjëherë në fluturim, përcjell TCh.

Për ekspertët, çdo rajon në rrezen e raketave të Koresë së Veriut është teknikisht i rrezikuar dhe është e rëndësishme të konsiderohen motivet politike.

Sidoqoftë, sipas tyre, Koreja e Veriut nuk pritet të shtrijë rrezen e veprimit të raketave të saj përtej asaj të “Hwasong 15”.

Tani ka më shumë gjasa, që regjimi të fokusojë përpjekjet e tij në përmirësimin e karburantit, motorit dhe teknologjisë së rihyrjes në atmosferë të armëve të tij.