Shefi i njësisë speciale të policisë meksikane, Edgar Perez de la Pena, është ekzekutuar ne prani të bashkëshortes së tij nga vrasës me pagesë. Ekzekutimi Edgar Perez de la Pena, ngjan me atë të një skene prej filmave me mafia.

Kreu i njësisë speciale ishte duke darkuar me gruan e tij në një restorant në qytetin Cuauhetmoc dy burra shihen duke u ulur pas tij, por sapo ulen, njëri prej tyre çohet duke qëlluar me armë pas koke shefin e policisë.

Restoranti ishte plot me klient, ndërsa kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithë skenën e tmerrshme.

Ndërkohë që restoranti “pushtohet” nga të bërtiturat dhe e qara e bashkëshortes së shefit të policisë, dy vrasësit largohen nga skena e krimit sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

38-vjeçari Perez de la Pena ishte shef i njësisë speciale të policisë meksikane. Në janar, Perez ishte lavdëruar nga kolegët në një ceremoni të veçantë pasi kishte ndaluar një grua të bënte vetëvrasje.

Policia meksikane ka bërë të ditur se dy vrasësit janë ndihmuar nga dy persona të tjerë për tu larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që shton se hetimet po vazhdojnë në mënyrë intensive.

Dhuna e armëve ka arritur përmasa epidemike në Meksikë ku kartelet e drogës kanë fuqi të madhe dhe korrupsioni shkon thellë përmes qeverisë, gjyqësorit dhe autoriteteve të tjera shtetërore.

Në qershor, 2.234 vrasje u regjistruan në vend, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës të Meksikës në të paktën 20 vjet sipas të dhënave të qeverisë.

Global