Një qen endacak dje pasdite i sulmoi dhe i kafshoi një nënë dhe djalin e saj në rrugën “Pero Nakov” në Shkup. Babai, R.A. (43), rastin e ka denoncuar në polici.

Siç informojnë nga MPB, R.A. ka denoncuar dje rreth orës 14:30 se në rrugën “Pero Nakov” bashkëshortja e tij Z.R. (36) dhe djali i tyre gjashtëvjeçar janë sulmuar nga një qen endacak. Fëmija është kafshuar në pjesën e dorës së majtë dhe i janë shkaktuar lëndime të dukshme, ndërsa Z.R. ka marrë lëndime në këmbën e majtë.

Nga mjeku i ndihmës së shpejtë u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar në Klinikën infektive në Qendrën klinike “Nënë Tereza”.

Sipas deklaratave të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, bëhet fjalë për qen endacak.

Nga Stacioni Policor i Gazi Babës është njoftuar shërbimi Shinter i Qytetit të Shkupit, i cili e ka kapur qenin dhe e ka dërguar në Qendrën për mbrojtjen e qenve-endacakë “Vardarishte”.