Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se ai është pro idesë që të ketë një hetim ndërkombëtar për Grupin e Kumanovës.

Kështu deklaroi Zaev në konferencë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Është një çështje e ndjeshme që nuk e ka në dorë as Zoran Zaev as Ramush Haradinaj. Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën ne jemi pajtuar që të ketë qoftë edhe një hetim ndërkombëtar në mënyrë që qytetarët ta dinë të vërtetën”, ka thënë Zaev.

Ai ka thënë se kjo nuk duhet të bëhet një çështje pengesë mes marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maëedonisë.

“Është edhe në interesin tonë që kjo çështje të mos mbetet pengesë e marrëdhënieve tona. Do të ketë një farë hetimi ndërkombëtar me qëllim që kjo të arrihet”, ka thënë Zaev.

Lidhur me këtë çështje, Haradinaj ka pasur vetëm këtë koment:

“Nuk kam shumë me shtu, faleminderit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë do të avancohen në të ardhmen.

“Marrëdhëniet tona janë të mira por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime dhe besoj se ato do ti finalizojmë në takime të përbashkëta të dy qeverive”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, Zaev gjithashtu tha se kanë diskutuar shumë çështje të rëndësishme që lidhin Kosovën dhe Maqedoninë.

“Jemi këtu të takohemi së bashku për të vazhduar avancimin e marrëdhenieve mes dy shteteve tona. Folëm për rrugën që lidh Kosovën me Maqedoninë dhe kalimit kufitar të ri në Bellanoc. Gjithë kjo do të avancojë komunikimin mes dy shteteve tona”, ka thënë Zaev..