Sadiku ëndërron që një ditë të luajë në Serie A.

I ndodhur me pushime në Shqipëri, Armando Sadiku ka qenë mysafir në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’, ku ka folur për karrierën e tij si futbollist, që në nisje dhe deri te Legia e Warshavës ku luan aktualisht.

Sulmuesi elbasanas i kombëtares tregoi se synon një tjetër Europian më Shqipërinë, ndërsa tha se preference e tij është që të luajë në Serinë A.

“Karriera? E kam nisur që në moshën 7-vjeçare dhe ka qenë babai im, trajneri im i parë dhe ai që më shtynte të bëhesha futbollist. Kam luajtur me Turbinën dhe më pas me Gramozin, kur isha vetëm 18 vjeç dhe nuk isha mësuar larg familjes, për t’u kthyer te Elbasani më vonë. Pastaj, ndonëse shumë i ri, u largova në Itali, te Chievo, ku qëndrova shumë pak dhe u transferova te Lugano. Aty kam kaluar periudhën më të bukur të karrierës time si futbollist”, u shpreh ai.

“Legia? Te Legia erdha këtë verë, sepse bëhet fjalë për një skuadër me mjaft histori. Nuk e nisëm mirë sezonin, pasi u eliminuam edhe nga kompeticionet europiane, por tani jemi rikthyer në rrugën e duhur. Ndonëse nuk po luaj aq sa dua, jam i gatshëm dhe jam munduar të jap kontributin tim, sa herë që kam zbritur në fushë”.

“Kombëtarja? Është një ëndërr e bërë realitet. Ndihem mjaft i lumtur që kemi arritur të kënaqim njerëzit me pjesëmarrjen në Europian. Me De Biasin kaluam një periudhë të artë, ndërsa edhe tani me Panuccin jemi në rrugën e duhur. Duam të shkojmë sërish në Europian dhe të bëjmë të lumtur të gjithë shqiptarët”.

“E ardhmja? Për momentin jam shumë mirë te Legia dhe po punoj për të luajtur akoma më shumë. Ëndrra ime është që të luaj në Serinë A, kjo pasi jam i lidhur me Italinë dhe kam kaluar një periudhë mjaft të bukur, në pjesën italisht-folëse të Zvicrës, Lugano”.

“Futbollisti më i mirë? Mua më pëlqen shumë Zlatan Ibrahimoviç, por Cristiano Ronaldo është më i miri në botë”.