Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, euroambasadori në Maqedoni Samuel Zhbogar dhe përfaqësuesja e Organizatës Ndërkombëtare për Emigrantë Sonja Bozhinovska-Petrushevska, sot në vendkalimin kufitar “Bogorodicë, morën pjesë në prezantimin e pajisjes për vëzhgim, ndjekje dhe sigurim të kufirit të dhuruar nga BE në suaza të projektit “BE për ty”.

Pajisja vlera e së cilës është rreth katër milionë euro dhe përbëhet nga dhjetë automjete të specializuara terreni, katër skuterë dhe pajisje tjetër e sotisfikuar prej sot është dorëzuar në përdorim në Sektorin e policisë kufitare, punë kufitare dhe emigrime.

Spasovski personalisht i shprehu falënderime euroambasadorit Zhbogar për këtë donacion me vlerë duke theksuar se kjo tregon konfirmim të bashkëpunimit tonë të fuqishëm me BE-në dhe konfirmim se Unioni i ka kuptuar qëllimet e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe në NATO.

“Policia e Maqedonisë, para së gjithash policia kufitare prej sot ka pajisje cilësore me të cilat i ka rritur kapacitetet e saj, ndërsa me të edhe sigurinë e kufirit dhe parandalim të kalimit ilegal të emigrantëve, parandalim të kontrabandës dhe luftës me krimin. Policët ishin në trajnim dhe mund të konstatojmë se me sukses mund ta shfrytëzojnë këtë pajisje. Kjo është një ndihmë serioze për ne në rrugën drejt BE-së dhe promovimin e vlerave evropiane tek ne”, theksoi Spasovski.

Zhbogar theksoi se Maqedonia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në krizën e refugjatëve, me sukses e ka menaxhuar dhe ballafaqohet me të, duke shprehur kënaqësi që është i pranishëm në promovimin e pajisjes të cilën BE ia dhuron Maqedonisë.

“Sot jemi këtu të tregojmë çfarë do të thotë slogani i projektit “BE për ty”. Ky është ofrim i ndihmës të çdo vendi që me sukses të përballet me problemet lidhur me krizën e refugjatëve dhe me të gjitha problemet e tjera. Qëllimi i BE-së është që me këtë donacion të ndihmohet në rritjen e kapaciteteve të policisë nga e cila kërkohet që me sukses të ballafaqohet me çfarëdo lloj krimi me ndihmën e kolegëve policë nga vendet anëtare të BE-së, që do të ndodhë në kufi”, tha Zhbogar dhe shtoi se Unioni edhe më tej do të mbetet i përkushtuar në ofrimin e ndihmës për Maqedoninë në përballjen me çfarëdo qoftë lloj të krizës.

Përfaqësuesja e Organizatës Ndërkombëtare për Emigrantë, Sonja Bozhinovska – Petrushevska tha se në suaza të projektit janë trajnuar 550 policë për menaxhimin dhe përdorimin e pajisjes.