Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat ditën e martë, tha se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë, përfshirë edhe sugjerimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, për djegien e mandateve.

“Opozita i ka diskutuar në detaj të gjitha opsionet dhe të gjitha opsionet mbeten të hapura,” tha Basha.

I pyetur nëse opozita do jetë në Kuvend për të zgjedhur anëtarët e KLP dhe më pas Kryeprokurorin tjetër, Basha tha: “Më lejoni të them që kjo nuk është çështje as burokracish, as peticionesh, por është një çështje e mprehtë politike. Shqipëria është në një krizë të thellë politike dhe besimi. Këtë e tregojnë shifrat e shqiptarëve që po largohen nga vendi në mënyrë të frikshme.

Kur shteti ligjor ka rënë, detyra kryesore e opozitës të ftojë qytetarët që të bashkohen me të gjitha mjetet demokratike për të rikthyer shtetin ligjor, për të kthyer Kushtetutën.

Nuk dua të jap asnjë iluzion se kjo krizë e thellë politike që ka shkaktuar Edi Rama, mund të zgjidhet me peticione.

Kryeprokurori i Shqipërisë që prej dje është vetë Edi Rama. Ai nuk e ka bërë këtë vetëm për Saimir Tahirin dhe Vangjush Dakon, por për veten.

Beteja jonë është e gjatë, por fundi i saj është i pashmangshëm, Tahirët, Gjiknurët, Dakot, do përgjigjen përpara drejtësisë.

Herët a vonë, Edi Rama do përgjigjet përpara drejtësisë për lidhjet me krimin dhe për kthimin e vendit në hambar të drogës dhe krimit”.

“Kushedi kur do të formohet KLP, kjo nuk është në dorën e opozitës. KLP është sabotuar për të emëruar një kryeprokuror në shkelje flagrante të Kushtetutës. Për këtë arsye po vonohet edhe krijimi i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Basha komentoi edhe çështjen e procedimit ndaj 10 deputetëve të opozitës.

“Kjo është pjesë e skemës së terrorit të narko-shtetit dhe e një ministri që është emëruar aty nga trafiku. Ne do të ndjekim që të gjithë hapat ligjorë,” tha Basha.