Ambasada e Katarit në Tiranë organizoi në mbrëmje një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit, e cila u zhvillua në ambientet e Hotel Plaza në kryeqytet.

Në këtë eveniment morën pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar, si përfaqesues të Presidentit të Republikës, anëtarë të qeverisë, deputetë, anëtarë të trupit diplomatik, personalitete të politikës, medias, artit, kulturës dhe ekonomisë.

I Ngarkuari me Punë Hashim Ibrahim Al Sada, në fjalën përshëndetëse tha se marrëdhëniet politike dhe diplomatike mes dy vendeve janë shumë të forta dhe të qëndrueshme.

“Ne shpresojmë që periudha e ardhshme të ketë zhvillime pozitive dhe konkrete në marrëdhëniet ekonomike, investuese dhe tregtare dypalëshe, duke qenë se ka një vullnet të përbashkët për këtë gjë”, tha kreu i Misionit Diplomatik të Katarit.

Në vijim ai përmendi edhe çështjen e krizës mes vendit të tij dhe disa shteteve të tjera të Gjirit, ku theksoi se Katari ka qenë gjithnjë i gatshëm për dialog dhe zgjidhje të krizës, por hodhi poshtë çdo kusht apo diktat të jashtëm që do të cënonte sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Ai vlerësoi qëndrimet pozitive që kanë mbajtur shumë vende të botës kundrejt krizës aktuale të Gjirit, duke veçuar sidomos rolin e Kuvajtit për ndërmjetësim.

Ai foli edhe për organizmin e Botërorit “Qatar 2022”, ku nënvizoi se puna për këtë ngjarje të madhe vazhdon me ritëm të plotë, dhe zbuloi se Katari ka shpenzuar deri në vitin 2016 rreth 98 miliard USD për përgatitjet e Kupës së Botës, ndërsa shuma e shpenzuar për vitin 2017 arrin në 13 miliard USD.

Theksohet se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Katarit u intensifikuan pas vizitës historike të Lartësisë së Tij Emirit Baba Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani në Tiranë, më 18 tetor 2011, ku u nënshkruan disa memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha, ndjekur më pas me hapjen e Ambasadës së Katarit në Tiranë, në Janar 2012.

Që pas hapjes së ambasadave në vendet respektive marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur zhvillime të shumta. Një marrëveshje e rëndësishme mes dy vendeve u nënshkrua gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Doha, në Prill 2014, në lidhje me punësimin e shqiptarëve në Katar.

Shteti i Katarit ka shprehur gjithnjë vullnetin për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Republikën e Shqipërisë, çka e konfirmoi edhe z. Al Sada gjatë eventit të sotëm.