Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov merr pjesë në Këshillin ministror të 24-t të OSBE-së, i cili mbahet në Vjenë të Austrisë.

Nga MPJ kumtuan se në Këshillin e Ministrave është diskutuar mbi aktivitetet e OSBE-së, sfidat aktuale me të cilat përballet rajoni i OSBE-së dhe për modalitetet për ballafaqim më efektiv me këto sfida.

“Si shtete pjesëmarrëse në OSBE, ne kemi përgjegjësi për të bërë më shumë përpjekje për ta bërë OSBE-në më të efektshme në përballimin e sfidave. Në të njëjtën kohë, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të kemi parasysh qëllimin më të lartë. Por mbi të gjitha, siç mësoi Maqedonia përmes mënyrës më të vështirë të saj,  përmes krizës së fundit politike nuk guxon të ketë një alternativë tjetër të vlerave tona të përbashkëta, të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe normat demokratike, lirinë ekonomike dhe përgjegjësinë. Vlerat që janë në dobi të demokracisë së Maqedonisë si dhe në rrugën për të cilën ne jemi të angazhuar në mënyrë të vendosur – integrimi evropian dhe euroatlantik”, tha Dimitrov në fjalimin e tij.

Në margjinat e takimit, MPJ Dimitrov ka pasur disa takime bilaterale dhe takime të shkurtra me përfaqësues të OSBE-së, si dhe me kolegët dhe shefa të delegacioneve.

Dimitrov ka marrë pjesë në një panel të organizuar dhe të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Tomas Greminger, dedikuar rolit, perceptimit dhe të ardhmes së operacioneve në terren të OSBE-së, në të cilin u prezantuan dy histori të suksesshme – e Maqedonisë dhe Moldavisë. Ministri Dimitrov në fjalimin e tij në panel e theksoi se është e nevojshme të lirohemi prej stigmës dhe lidhjes me praninë e misionit të OSBE-së në vend në kriza dhe vështirësi, dhe në vend të kësaj të përqendrohemi në mundësitë pozitive të bashkëpunimit përmes projekteve përkatëse që e ndihmojnë vendin.