Është e nevojshme të ndërtohet konsensus kombëtar për emrin, ndërsa shumica prej këtyre elementeve të konsensusit kombëtar për momentin nuk janë të qarta, tha sot shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

“Po punohet intensivisht në ndërtimin e konsensusit, në të cilin duhet të kyçen, qytetarët, faktorët politik, institucionet, të gjithë. Procesi është i hapur dhe po zhvillohet. Me rëndësi është ky proces të përfundojë, sepse në këtë mënyrë pozicioni i Maqedonisë do të jetë më i fuqishëm”, tha Dimitrov.

Ai këtë e theksoi në brifingun e sotëm për integrimet evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, me profesorin dr. Florijan Biber, drejtor i Qendrës për studime për Evropën Juglindore në Universitetin në Grac dhe anëtar i grupit këshillëdhënës të Ballkanit në Evropë (BiEPAG).

Kjo çështje, sipas Dimitrovit, ka natyrë të tillë, për ç’arsye nuk mund të zgjidhet pa qytetarët.

Duke e komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi se Parlamenti ka legjitimitet të vendos në drejtim të zgjidhjes, në vend se çështja të shkojë në referendum, tha se referendumi është premtim zgjedhor i të gjitha partive të mëdha.

“Çështja ka natyrë të tillë që nëse nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme, nëse nuk pyeten qytetarët, nëse nuk ka konsensus, nëse ka beteja brenda partiake, do të vijë deri te dobësimi i qëndrimit tonë”, tha Dimitrov.

Deklaratën e ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamnos, partia e të cilit Grekët e Pavarur është partner më i vogël i koalicionit në Qeverinë greke, se nuk do ta pranojë fjalën “Maqedoni” të përfshihet në emrin e fqinjit verior, e vlerësoi si deklaratë të llojit të shekujve të kaluar.

Ai nuk ka dashur të flasë për propozime konkrete, për atë nëse kjo për udhëheqësinë shtetërore është emër i pranueshëm me përcaktim gjeografik, me të cilën do të mbrohet identiteti apo emri i përmendur “Maqedonia e Re”, duke theksuar se nëse në këtë fazë flet për propozime eventuale  mund t’i dëmtojë përpjekjet në këtë drejtim.

Ai pret që Maqedonia të kyçet në Strategjinë për zgjerim të kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker.

Studimi i fundit, i përpiluar nga BiEPPAG është titulluar si “Të kapet momenti i Maqedonisë”.

Biber theksoi se viti i ardhshëm ofron mundësi për transformim thelbësor në rajon, i cili lidhur me perspektivën evropiane ka stagnuar mbi dhjetë vjet.

“Në brifingun tonë të fundit themi se ky është moment jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin, të ripërtërihet zgjerimi, të njihet momenti. Tani ekziston mundësia ky proces më të mos jetë tregim pa fund, por tregim me qëllim të qartë dhe afat” tha Biber.

Theksoi se BE-ja nuk ka mekanizma, me të cilat do t’i bënte presion një vendi anëtar të mos ndikojë ndaj hyrjes së ndonjë kandidati, në rastin me Maqedoninë për kontestin e emrit me Greqinë.