Deputetja socialiste  Klotilda Ferhati ka folur sot për dhunën që ndodhi gjatë protestës së djeshme të opozitës.

E ftuar në Fax News, Ferhati u shpreh se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin do të përballen me pasoja, qoftë një qytetar i thjeshtë, deputet i opozitës apo i maxhorancës.

“Nuk ishte thjeshtë një protestë,  por kishte shkelje rregullash:  ushtrim dhune, fyerje e punës së një institucioni.

Duhet të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që bëjnë. Njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë edhe deputetët kur shkelin ligjin mbajnë përgjegjësi. Ka nisur hetim dhe përgjegjësia do të mbahet sipas ligjit.

Duhet të presim përfundimin e hetimeve për të parë se çfarë përgjegjësie penale rëndon mbi të, për të ditur nëse i rrezikohet apo jo mandati. Gjithçka do të zbardhet shumë shpejt dhe për këdo që ka shkelur ligjin do të merren masat përkatëse”, tha deputetja e PS-së.

Nuk dihet nëse Ferhati e ka pasur këtë paralajmërim edhe për kreun e grupit parlamentar të PS-së,  Taulant Balla, i cili u kap duke marrë kartat elektronike të votimit të deputetëve të opozitës, të cilat më pas u përdorën në votimin për zgjedhjen e Kryeprokurores.

Ndoshta kjo është një shkelje më e rëndë ligjore, pasi ka të bëjë drejtpërsëdrejti me manipulimin e një votimi të rëndësishëm, ndërkohë që deputetët e PD dhe ato të LSI protestonin para foltores.